Nga: FATMIRA NIKOLLI*TIRANE-Shfaqja jonë është për heshtjen e njerëzve të dëshpëruar. Dëshpërimi që vjen prej politikës është i tmerrshëm. Politika është shndërruar në një skenë teatri diletant. Pjesa më e madhe e politikanëve janë askushi, mbeten askushi dhe do të largohen nga skena politike si askushi. Por këta askushër, kanë më shumë se njëzet vjet që po na shkaktojnë dëme të pallogaritshme, që vijnë nga mediokriteti dhe makutëria e tyre. Kanë vënë dorë mbi pronën publike, në ajër, në det, në tokë dhe në nëntokë. Përditë e më shumë na e bëjnë jetën të padurueshme, na kanë rrëmbyer shpresën dhe na kanë zhytur në dëshpërim të thellë e, për pasojë, ne jemi shndërruar në heshtësa të mëdhenj. Ata edhe ne, do të marrim mallkim shumë të madh për atë që po gatuajmë së bashku”. Kiço Londo i përgjigjet me këto fjalë pyetjes së “GSH” se si e gjen veten “Arturo Ui” në Tiranën e 2015-ës, ku videot dhe teatrot politikë janë shumë në modë. Pjesa e Bertolt Brecht flet për një kohë kur njerëzit janë duke vuajtur, krimi është në rritje, papunësia gjithashtu, dhuna ka shpërthyer në rrugë dhe drejtësia është e gjunjëzuar. Duke filluar nga dt. 4 prill, premiera e “Arturo Ui” vihet në skenë çdo të mërkurë, të enjte, të premte, të shtunë dhe të diel, në orën 20:00. Drama që Brecht paraqet, është e njohur në kohë të tjera, në të shkuarën, të tanishmen dhe në të ardhmen. Ai tregon për një kohë që ishte në recencion. Pjesa e përkthyer nga Robert Shvarc, vjen me regji të Kiço Londos, skenografi të Kristo Çalës, kostume të Sofi Kara dhe me aktorët Denis Kurushi, Fatjon Mici, Rezart Barjoti, Ergys Çekrezi, Erjon Hinaj, Amir Hasanlliu, Elidon Alika, Dervish Biba, Erlin Visha, Roland Saro, Redian Mulla, Ina Morinaj, Oriana Cama, Xhuliano Briskaj, Endri Çela, Donald Shehu, Arjola Basho, Sara Jaupaj, Ilirda Bejleri, Kristiana Dodaj dhe Endri Hekurani. Mesazhet për politikën e sotme, konflikti mes drejtorit e regjisorit, përplasja e dy teatrove me të njëjtën pjesë në të njëjtën kohë, buxheti që kërkon një pjesë me 25 personazhe, arsyeja e një shfaqjeje me të rinj dhe një krahasim me vënien e vitit 1971. Kiço Londo, regjisor dhe drejtor i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, vjen në një rrëfim ku u përgjigjet të gjitha pyetjeve (edhe atyre, për të cilat drejtorë të tjerë, në vend që të përgjigjen, ulërasin) me qetësi dhe batutë.

Një gangster ngjitet në karrierë për të mbrojtur tregtinë e lulelakrës nga “shantazhet e kundërshtarëve”. “Arturo Ui” njihet si një pjesë ku Bertolt Brecht ironizon e satirizon ngjitjen e Adolf Hitlerit dhe të tijve në pushtet. Ju e vini këtë në skenë si regjisor në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Cili është koncepti juaj regjisorial?

Arturo Ui i shfaqjes sonë nuk është as Al Capone dhe as Adolf Hitler. Ai është çdonjëri prej nesh. Karriera e Ui-së në shfaqjen tonë, nuk ndihmohet nga indiferenca, por nga heshtja e njerëzve të dëshpëruar. Veprimi dramatik, nuk zhvillohet thjesht në skenë, ai fillon që pas derës së hyrjes së teatrit dhe mbaron pas derës së daljes ngateatri. Është një shfaqje në të cilën përfshihen të gjithë, aktorët, punonjësit e prapavijës dhe gjithë spektatori. Të gjithë shohin me sytë e tyre se si Arturo Ui, që prezantohet si një zvarranik dhe ecën nëpër këmbët e spektatorit, në fund qëndron mbi kokat tona. Jemi munduar për një shfaqje me ritëm tjetër, larg të bërtiturave, larg zhurmave, pa armë dhe pa krisma. Por, me shumë dhunë dhe perversion. Dhe, mbi të gjitha, këto do të paraqiten me elegancë. Mendoj se do të jetë interesant fakti se, edhe pse Arturo Ui nuk është Adolf Hitler, Adolf Hitler do të jetë prezent në skenë. Ky lloj trajtimi më ka pëlqyer dhe përbën ëndrrën time për veprën e madhe “Arturo Ui”. Unë mendoj se gjestikulacioni, zhurmat, patetizmat, këngët e tepërta, janë tradhti ndaj Brechtit.

Jeni regjisor, por edhe drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Si do u përgjigjeshit zërave të mundshëm për konflikt mes postit tuaj dhe punës që po bëni me “Arturo Ui”?

Nuk kam asnjë kompleks të them se jam në konflikt të hapur interesi. Veçse duhet të sqaroj më parë, se unë nuk kam qenë asnjëherë drejtor i institucioneve që kam drejtuar. Jam i paqartë se ç’do të thotë drejtor. Dhe ma merr mendja se edhe nga ky post drejtori ku qëndroj, do të largohem i paqartë për këtë temë. Edhe në Teatrin Kombëtar, edhe në Teatrin e Metropolit, edhe në TKEKS, unë jam një shërbëtor. Shërbej duke punuar. Duke punuar, jam autor i pesë sallave teatrore në kryeqytet, jam autor i ngjitjes së më shumë se 70 të rinjve për herë të parë në skenat e këtyre institucioneve. Jam autor i përfshirjes së biznesit, në ndërtimin e këtyre sallave, e këtyre pesë sallave, që janë ndërtuar me dy ‘lekë’. Ky është konflikt i hapur interesi, midis punëtorit dhe drejtorit. Kam zgjedhur dhe do vazhdoj të zgjedh, punëtorin që shërben nga mëngjesi deri në darkë. Nga ana tjetër, ëndrra ime artistike është regjia. Dhe unë jam në konflikt të hapur interesi, duke mos e braktisur këtë ëndërr. Ëndrrat edhe puna, janë interesat e mia dhe këto interesa janë në konflikt me apatinë, me gjendjen moçalore të teatrit të sotëm, që drejtohen në mënyrë artizanale, janë në konflikt me teatrot që ua hapin shumë pak derën të rinjve, me gjendjen skandaloze fizike të teatrove, jam në konflikt me repertorin e pamençur që teatrot shpesh zgjedhin. Ky është konflikti im i interesave.

 

Intervisten e plote e gjeni sot ne Gazeta Shqiptare ne print

 

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: