ELBASAN-Shkatërrohen totalisht nga arinjtë disa parcela të mbjella me gështenja dhe misër në fshatin Qerret në Elbasan.

Banorët deklarojnë se u është çuar dëm djersa e 5 viteve dhe kërkojnë ndihmën e shtetit, pasi për shkak të moratoriumit të gjuetisë, nuk mund as të vetëmbrohen nga egërsirat.

Arinjtë janë kthyer në problemin më të madh për banorët e fshatit Qerret në Elbasan. Një pjesë e parcelave të mbjella me gështenja dhe misër janë shkatërruar prej disa ditësh nga arinjtë, të cilët zbresin në këtë zonë ditën e natën, duke hedhur poshtë djersën e 5 viteve të këtyre banorëve.

Banorët ankohen se është hasur një rritje e numrit të egërsirave në zonën e Labinot Malit dhe se përballe moratoriumit të gjuetisë, ata ligjërisht as nuk mund të vetëmbrohen, ndaj kërkojnë ndihmën e shtetit.

Banorët e Qerretit kanë provuar alternativa nga më të çuditshmet për të larguar arinjtë nga parcelat, mes tyre edhe muzikën me volum të lartë, me shpresën se kafshët e egra do tremben prej saj, pavarësisht se për njerëzit ka efekt të kundërt.

(d.b/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: