Rrëfime të pathëna dhe detaje që ndoshta ishin harruar. Ish-komandanti i grupit të zjarrit Agron Malaj tregoi në “Real Story” në Neës24 minutë pas minute çfarë ndodhi më 21 janar 2011. Një rrëfim vjen dhe nga ish-ambasadori i SHBA Alexander Arvizu.

AGRON MALAJ
Kishte shumë tension, pasi patëm debate për vendosjen e njësisë speciale, dhe tensioni u shtua pasi një pjesë e forcave ikën, dhe mbetëm pak oficerë dhe pak ushtarë. Pasi dhe forcat e policisë u çanë nga turma, gjithë pesha ra tek forcat e gardës, dhe garda nuk ka përgatitje për menaxhim për turmat, dhe as Njësia Speciale nuk është e specializuar të merret me turmat e civilëve.

Pati urdhër ‘ZJARR’, nuk dihej nga vinte. Pati një kundër urdhër nga komandanti i Njësisë Speciale, ‘kujdes me përdorimin e armëve të zjarrit’, për të gjithë oficerët, të cilët përsëritën urdhrin tek trupat. Fillimisht u përdor zjarr në ajër me fishekë manovër, pastaj pamë degët që binin, dhe konstatuam që po përdoreshin fishekë real, gjë që duhej t’i kish Njësia Speciale, jo vendrojat, apo radhët e para të ushtarëve.

ALEXANDER ARVIZU
Pyetjet e para ishin nga erdhën krismat, kush qëlloi kë, por isha i shokuar, pasi në atë kohë specifike të protestës, nuk kishte ndonjë kërcënim eminent, sigurisht jo ndaj Kryeministrisë. Autoritetet dukshëm e kishin vënë situatën nën kontroll. Tani thashë, do jetë një ditë fatkeqe.

AGRON MALAJ
Agim Llupo kur qëlloi, ishte tek dritarja, siç shihet edhe nga pamjet, dikush the në radio ‘U HAP PORTA’. Porta ishte diçka “E SHENJTË” aty filloi hapja e zjarrit. Në moment bërtita “KUJDES, MOS PËRDORNI ARMËT E ZJARRIT”, ishim edhe të gjithë të maskuar, e kam parë personin që qëllonte, po nuk e dija që ishte Llupo, i cili ishte shef shtabi, pra eprori im, e nuk i dija vendndodhjen. Në të vërtetë nga pamjet, duket që Llupos i iku arma, pasi automatiku model 55 është shumë i vështirë në përdorim.

Kam pasur komunikim fillimisht me ish-komandantin e gardës Arben Çuko. Më pas kam parë Ndrea Prendin që pati komunikim të rëndë me ish-komandantin e gardës Arben Çuko. E pashë edhe kur u godit me gurë, por ka qenë në lëvizje. Unë urdhra direkt nga Ndrea Prendi nuk kam marrë, pasi marrim urdhra vetëm nga komandanti jonë.

Nuk kam marrë urdhra të drejtpërdrejt nga Ndrea Prendi, pata vetëm një pamje vizuale që të organizohet njësia speciale, por ne nuk marrim urdhër nga komandanti i gardës, ne marrim urdhër nga komandanti ynë, se s’mund të zbatohen urdhra verbalë. Mund të çmendet dikush e të japë urdhër për zjarr e të bëhet skandal i madh.

ANDI BUSHATI
Unë mendoj që Sali Berisha atë ditë i frymëzoi gardistët, policët, njerëzit e tij me uniformë dhe pa uniformë, të ishin të dhunshëm përtej kufijve të ligjit, pikërisht për t’i treguar dhëmbët opozitës dhe për t’i treguar që kryeministria si simbol i pushtetit të tij të paprekshëm nuk mund të cenohet dhe preket.

MERO BAZE
Në qoftë se nuk do dilnin shfaqjet e pamjeve që demonstruesit ishin vrarë nga oficerët e gardës, jo që do arrestoheshin, por opozita kishte për t’u penalizuar si gjakatare, që vrau njerëzit e vet në përpjekje për të inkriminuar qeverinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb