Nga: DRITAN HILA*
“Shqipëri e Madhe”, është termi më i dëgjuar nga goja e fqinjëve dhe kozmopolitëve shqiptarë së fundmi, duke abuzuar haptas me të. Nëse termi përdoret njësoj me konotacionin që historia i jep “Magna Grecia”-s, atëherë Shqipëria e Madhe shtrihet nga Nishi dhe Leskovaci e mbase nga jugu i Austrisë deri në Arta, nëse do të ishim rigorozë me historinë. Por tashmë popullohen nga serbët dhe grekët. E asnjë shqiptar nuk kërkon këtë. Ndërsa “Shqipëria e Madhe” e ditëve të sotme, nuk është tjetër veçse hapësira e Shqipërisë etnike, e asaj hapësire ku shqiptarët janë popullsi e vetme ose maxhoritare. Në një rend të drejtë të gjërave, kjo duhej të ishte edhe shtrirja e Shqipërisë. Por ky është rasti kur historia ka qenë e padrejtë. Për shkak të së shkuarës sonë që nuk e njihnin shtetarët që ndanin botë, mungesës së kompetivitetit të faktorit shqiptar, mungesës së miqve a kushërinjve të mëdhenj, mospasjes vullnet të dashamirësve tanë për të luftuar për një shtet të cilin më shumë e mendonin si tampon se faktor, qenia e fqinjëve tanë si shtete tashmë të strukturuara, së bashku me faktorë minorë, bënë që ne të jemi këta që jemi. Por kjo nuk është rendi i drejtë i gjërave. Të korrigjosh gabimet, nuk është kurrë vonë. Një bashkim me Kosovën, një Maqedoni konfederale, një Mal i Zi që njeh autonominë e komunave shqiptare, një Greqi që njeh praninë e faktorit shqiptar autokton në krahinën e Çamërisë, janë hapat e parë drejt një miqësie jetëgjatë mes fqinjësh. Në të kundërt, e gjitha kjo, është një lloj paqeje Versaje, Brest-Litovski apo Sevres: asnjëherë e drejtë dhe gjithmonë e kontestueshme.
Sot më keq se më parë, ka një konfondim të ideve për çështjen shqiptare. Integrimi i vendit drejt BE-së, ka sjellë edhe hallakatjen e idesë kombëtare, me perceptimin se integrimi në BE është edhe zgjidhje e saj. Por kombi si nocion, është ende i ri për t’u shuar, ndërsa BE ende në pelena që të mund të vësh bast për të. Rruga më normale për ne, do të ishte një bashkim me Kosovën. Kjo do të sillte më shumë benefite se probleme. Por ja që tani askush nuk do të dëgjojë në Bruksel probleme kufijsh. Fqinjëve tanë, iu pëlqen rendi i gjërave. Por e pakuptueshme është qëndrimi i një pjese të elitave shqiptare ndaj kësaj çështjeje. Një notë diplomatike bëri Tirana ndaj Athinës për çështjen e detit të kontestuar, dhe shqiptarët sulmuan shqiptarët më keq se vetë grekët. Pas ngjarjes në Kumanovë iu kërkua Maqedonisë maturi dhe iu parashtrua se vendi ynë do të ndërmerrte hapa për të penguar anëtarësimin e saj në NATO nëse Maqedonia nuk zbatonte Marrëveshjen e Ohrit, dhe qeveria shqiptare u sulmua si agresore. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për Aldo Bumçin që ka votuar në Beograd rezolutën e Dick Martin për inkriminimin e UÇK-së, e as për politikanë që kanë nënshkruar traktate miqësie me Rusinë, por për njerëz që mendohet të jenë të pavarur. Kush qeveris Tiranën, e ka të drejtën të mendojë për fatin e shqiptarëve jashtë kufirit, e ka të drejtën të quhet “Baba i kombit”, ashtu siç e ka detyrë të ruajë tërësinë territoriale. Pasi tërësia territoriale e një vendi, nuk është çështje opinionesh që i lëshon sot si lopa bajgën dhe nesër harrohesh. Lëshimi i territorit është diçka serioze për të cilin shkon minimalisht në burg. Ose dënohesh nga historia.
Shpeshherë, personazhe të çuditshme të opinionit apo politikës shqiptarë janë cilësuar si idiotë ose tradhtarë. Por ndoshta ekzagjerohet. Pasi qenia idiot është çështje mjekësore, ndërsa tradhtare tepër materiale. Qëndrimet e sotme të kujt kritikon veprimet e Tiranës zyrtare, kanë lidhje vetëm me psikologjinë e rajasë. Janë ata që duan të spiunojnë, shajnë, denigrojnë cilin përpiqet t’i japë dinjitet këtij vendi. Janë njerëz që kënaqen të sulmojnë atë që kundërshton beun e tyre. Janë të gatshëm të shfaqin besnikërinë ndaj zotit të tyre edhe pa para. E bëjnë edhe pa ja kërkuar njeri. E bëjnë edhe pa pasur një zot konkret, mjaft të jetë kundër Shqipërisë. Pasi nuk ka si shpjegohet ndryshe që kur Greqia matet të ngulë sondat në Jon dhe Shqipëria kundërshton, këta hidhen përpjetë sikur i ka pickuar gjarpri. Shpjegohet vetëm me psikologjinë e rajasë që, pasi Maqedonia për herë të katërt përpiqet të vrasë shqiptarë në gjumë, i bie me batare lagjeje me civilë, nuk zbaton as rregullat policore të një vendi afrikan, janë këta raja shqiptarë që e gjejnë fajin te shteti i tyre që mbron bashkëkombësit. Nuk shpjegohet ndryshe veçse me këtë psikologji rajaje që të krijosh probleme aty ku s’janë mes Turqisë dhe Shqipërisë, të dy anëtarë të NATO-s, vetëm e vetëm për të krijuar të çara në një aleancë e cila është e rëndësishme për vendin tonë. Serbët u hapin dyert Emirateve të Bashkuara Arabe, një nga shtetet më obskurantistë të Lindjes, Greqia dhe Maqedonia flirtojnë me Rusinë, por kjo nuk i shqetëson rajatë e Tiranës. I shqetëson pse Tirana mbron shqiptarët. Janë këta që, në vend që t’i shpjegojnë botës se ç’është “Shqipëria e Madhe” dhe ajo etnike, i bien shkurt dhe sulmojnë racën e tyre. Në fakt, këtyre tipave, nuk është për t’iu uruar gjë tjetër, veçse një ditë ju mbërriftë maqedonasi te dera e shtëpisë e t’ju nxjerrë me brekë nëpër natë nga krevati. Atëherë do ta kuptoni përse flisni e kë mbroni.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: