Mjeku i njohur, Artan Koni, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për procesin e vaksinimit anti-Covid, që ka nisur prej tri ditësh në Shqipëri. Për mjekun Koni ky është një lajm shumë i mirë dhe nuk është fare e rëndësishme që të merremi me vendin që na e solli vaksinën.

Mjeku Koni u shpreh se problem është mënyra e ardhjes së vaksinës në vendin tonë, pasi sipas tij, fjala dorazi nuk ekziston fare për mjekët dhe as për Institutin e Shëndetit Publik.

“Më e rëndësishme është që procesi nisi më në fund. Ishte lajmi i mirë që vaksinat erdhën. Më në fund filluam të bëjmë vaksinat dhe është e rëndësishme që kjo të ndiqet me hapat e mëtejshëm, të sjelljes në Shqipëri të më shumë vaksinave. Ky është lajm i mirë. Reagimi im se pse ne shqiptarët nuk mund t’i bëjmë gjërat siç duhet. Nëse vendi që i solli nuk do të bëhet publik, të paktën të bënim një transport më transparent, pa pikëpyetje. Për ne mjekët nuk ekziston për ne mjekët. Dorazi ne çojmë kaçkavall në Itali te kushërinjtë tanë, një rrobë te të njohurit tanë, që ja japim shoferit ta dërgojë.

Fjala dorazi nuk ekziston as për vetë ISHP. Nuk mund të vijë një pako te dera e ISHP dhe të thuash na erdhi vaksina. Unë kam pyetur nga ISHP dhe më kanë thënë se nuk kanë dijeni si ka ardhur vaksina. E kanë marrë vesh nga media. Nuk dihet nga kanë ardhur vaksinat, nga cili shtet, pasi vaksinat vërtet kanë dalë nga Gjermania, po nuk dihet nga kush janë urdhëruar. Vaksina është Pfizer dhe kjo nuk ndryshon në asnjë shtet, por ndryshon transporti, i cili është i rëndësishëm. Nuk e kuptoj një fshehtësi kaq të madhe, që sjell reagim negativ te disa njerëz”, u shpreh Koni.

Keni dyshime për mënyrën si ruhen këto vaksine tek ISHP?
Unë nuk kam dyshim për ISHP, jam i sigurt që mund t’i mbajë siç duhet, por nuk jam e sigurt për sasinë që mund të mbajë, pasi ka vetëm një frigorifer. Është problem, nëse na vjen një sasi e madhe, ose sasia që ne presim.

Kur të mbërrijnë vaksinat e tjera, a e kemi të ngritur infrastrukturën për t’i shpërndarë?
Për momentin nuk e kemi. Dëgjova qeverinë që tha se do të ngremë dhe një pikë tjetër të madhe në Vlorë, që supozohet të ngrihet para se të vijnë vaksinat. Mendohet që një pikë të bëhet dhe në Shkodër. Di që ka plan që do të ndërtohen këto, por unë lus që ato të bëhen pa ardhur vaksina.

Kur mendoni se do të vaksinohet populli në numër të lartë, jo të kufizuar?
Nuk është e sigurt. Ne si shtet përherë i kemi dhënë shumë rëndësi Covax. Ne mund të marrim sasi të vogla vaksinash nga donacione, marrëveshje bilaterale, por sasinë e madhe do e marrim nga Covax. Por, dje kryeministri tha se po të presim Covax nuk dihet kur do të vijnë vaksinat. Pra, ishte hera e parë që dëgjova një zyrtar të shprehë dyshime për Covax. Atij duhet t’ia ketë sqaruar dikush nga Komiteti Teknik që skema e Covax nuk funksionon.

Mund të ndërpritet në mes procesi i vaksinimit?
Patjetër, jo mund, por do të ndërpritet, ashtu siç po ndodh në gjithë botën. Nuk mund të them për një ndërprerje, por një vaksinim me faza. E mira do ishte të na vinte një sasi e madhe, por kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend. Në Shqipëri vaksinimi është e sigurt që do të bëhet me faza.

Kur do të përfundojë?
Besoja te fundi i vitit, nëse do na vinte ajo sasia e madhe nga Covax. Mendoja se do ta mbyllnim në një vit këtë punë, por hezitim i kryeministrit më lë një shije të keqe. Do të thotë që Covax ka probleme, jo vetëm me ne, por me gjithë botën. Shpresoj të aktivizohen dhe vaksina të tjera, sepse vetëm Pfizer dhe Moderna nuk do të na dalin. Me këto që kemi do të vaksinohen diku te 500 njerëz, sepse ata që marrin dozën e parë, nuk mund të lihen të marrin dozën e dytë, kur të na vijnë vaksinat e radhës. Ka një problematik të njerëzve që u vaksinuan, sepse nuk mendoj se janë ato vija e parë. Nuk janë ata më të rriskuarit për të marrë virusin, pasi më të rriskuar janë mjekët e familjes, ata që e shohin pacientin në ditët e para. Te spitalet Covid-1, 2 apo spitalet private, pacienti vjen më vonë, kur mundësia për ta transmetuar virusin zvogëlohet.

Po juve do iu vijë radha për ta bërë vaksinën?
Besoj se do na vijë radha, por jo këtë herë. Nuk na është dhënë asnjë informacion i tillë. Logjikisht për aq pak doza sa janë, më mirë të mos e bëj unë, por një mjek i familjes, që rrezikon më shumë.

Besoni te vaksina?
Patjetër që besoj. Asnjë vaksinë nuk ka zero efekte anësore, por shumica janë efekte të papërfillshme. Nuk mendoj se ka rrezik në këtë aspekt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb