Partizani mbyll një vit shumë negativ, nga më të vështirët në periudhën Demi teksa pas javës së 15-të e shohin vetë jashtë çdo objektivi të mundshëm dhe minus 15 pikë nga Tirana kryesuese. Si të mos mjaftojë kjo, pas humbjes së dytë në derbi, Ilir Daja u largua nga “demat” duke e bërë situatën edhe më të pa qartë.

Ardit Beqiri, ish-kapiteni i Partizanit, në një lidhje live për News24, në emisionin Sport News të moderuar nga Enxhi Biba foli mbi situatën që po kalojnë të kuqtë. Kjo ecuri nuk e ka befasuar shumë Beqirin pasi për të gjërat u bënë keq që gjatë merkatos së verës.

Ish kapiteni e ka të vështirë të bëj “fajtor” vetëm Dajën pasi për të nuk është e qartë se kush e ka ndërtuar ekipin. Në lidhje më të ardhmen, Beqiri ka një mendim ndryshe, për të Partizani është totalisht jashtë gare dhe nuk i duhet të ndërhyje në merkato. Ish mbrojtësi i famshëm befasoi kur u pyet mbi favoritet dhe sezonin e Tiranës.

“Si e pashë golin e Xhixhës? Mendoj se e kam parë ashtu siç e ka parë çdo tifoz, që i ka dhembur ai gol, sidomos në derbi, sidomos në minutën e fundit, as nuk ishte e tillë se kishte kaluar. Ja që ndodhi, në derbi janë situata të hidhura, por janë pjesë e futbollit, duhet pranuar. Është edhe çështje fati, kur mendon se ka mbaruar gjithçka, për bela ndodhi dhe duhet pranuar rezultati.

Të them të drejtën deri në këtë pikë ndoshta nuk e mendoja të arrinte Partizani. Por nga mënyra se si u ndërtua ekipi në fillim të sezonit, me ndryshimet që pësoi që nuk ishin pak, 70-80% nga e para. Personalisht nuk kam pritur ndonjë gjë të madhe nga Partizani, por edhe këtë diferencë pikësh jo.

A i ishte i drejtë largimi i Dajës? Nuk di ta them, por që ishte i pashmangshëm nuk ka dyshime. Nuk është 100% fajtor Daja, edhe pse dihet që në futboll gjynahet e përgjegjësitë më të mëdha i mban trajneri. Nuk mendoj se 100% i duhet dhënë fatura Dajës.

Fillon që nga ndërtimi i ekipit në startin e sezonit dhe ne si tifozë nuk e kemi të qartë se kush është protagonisti në ndërtimin e ekipit. Kur bëhet merkato sa i gjendesh afër trajnerit, nuk e kemi të qartë si është formula që veproi klubi.

A është trajneri që kërkon një lojtar të caktuar apo janë një grup lojtarësh që afrohen dhe duhet të zgjedhësh nga ky grup? Te kjo e dyta nuk do ta bëja me faj Dajën. Por nuk e kemi të qartë. Le të themi që përgjegjësi është e përbashkët, por në fund fatura është personale dhe e paguan trajneri. Nëse ka qenë trajneri përgjegjësi, ta marrë ai faturën, por nëse ka diçka tjetër, duhet ta dimë, se edhe sot nuk e dimë”, tha ndër të tjera Beqiri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: