SHBA– Presidenti Bujar Nishani, në krye të delegacionit zyrtar, vizitoi “New State Capitol” si dhe Asamblenë e Nju-Jorkut ku u paraqit dhe miratua rezoluta për rolin e kombit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga anëtari i Asamblesë që përfaqëson Distriktin 80, zoti Mark Gjonaj.

I mikpritur nga Kryetari i Asamblesë së Nju Jorkut, Karl Heastie, Senatori Xhefri Klein, si dhe shumë anëtarë të tjerë të Asamblesë, me pjesëmarrjen e fotografit të njohur amerikan Norman Gershman, klerikëve shqiptarë dhe hebrenj, si dhe mjaft bashkatdhetarëve, Kreu i Shtetit vuri në dukje mbështetjen e tij dhe krenarinë për këtë rezolutë, e cila trajton 70-vjetorin e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore si dhe vlerëson në veçanti rolin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve.

“Sot, kur roli i popullit shqiptar në mbrojtjen e hebrenjve nga regjimi nazist sintetizohet në një rezolutë të mbështetur nga përfaqësuesit e Nju-Jorkut, ndihem vërtet shumë krenar. Hapja e dyerve për hebrenjtë u bë e mundur falë trashëgimisë historike dhe harmonisë fetare, por edhe dy institucioneve të forta morale të shoqërisë shqiptare, siç janë: Kodi i BESË-s, fjalës së dhënë dhe e mbajtur; dhe Mikpritja e kodifikuar në shprehjen: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut”, u shpreh Presidenti Nishani.

Presidenti Nishani, si folësi kryesor, e mirëpriti këtë nismë duke marrë fjalën në këtë veprimtari të rëndësishme për imazhin e shqiptarëve jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën, dhe ishte i pranishëm në sallën e Asamblesë gjatë kohës kur u paraqit dhe u votua rezoluta, duke u takuar me shumë përfaqësues të zgjedhur të Shtetit të Nju-Jorkut, duke lobuar pranë tyre si dhe duke i falënderuar personalisht.

 

Fjala e plotë e Presidentit Nishani e mbajtur në Asamblenë e Shtetit të Nju-Jorkut:

 

I nderuar Kryetar i Asamblesë, Heastie,

I nderuar Senator Klein,

I nderuar zoti Gjonaj,

Të nderuar  zonja dhe zotërinj përfaqësues të Asamblesë së Nju Jorkut,

Zonja dhe Zotërinj!

Së pari ju falënderoj shumë, për ftesën dhe mundësinë që të jem sot i pranishëm në Asamblenë e Nju Jorkut, si dhe t’i adresohem kësaj audience të nderuar me një mesazh si President i Republikës së Shqipërisë, një vendi të vogël, por gjithashtu një vendi aleat shumë të sinqertë të Shteteve të Bashkuara. Kam qenë dhe kam vizituar shumë herë qytetin dhe shtetin e Nju Jorkut, ku kam pasur privilegjin të jem i pranishëm dhe mbaj fjalë në Pallatin e Kombeve të Bashkuara, si dhe në shumë institucione të tjera Federale dhe lokale amerikane. Por, pavarësisht emocioneve që të jep një qytet vibrant si Nju-Jorku, ju siguroj se vizita ime sot këtu, në “Dhomën e Popullit” të shtëpisë së Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, më ka shkaktuar emocione shumë të veçanta.

Këto emocione bëhen edhe më të forta nga vetë përmbajtja e rezolutës së propozuar. Votimi i rezolutës përbën një ngjarje të rëndësishme për Asamblenë dhe të gjithë njujorkezët, por ju siguroj se kjo rezolutë merr një vlerë të jashtëzakonshme edhe për vendin dhe popullin tim. Për këtë arsye, dëshiroj që të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar mirënjohjen dhe falënderimet.

Rezoluta vjen në një moment shumë të rëndësishëm jo vetëm për Shtetin e Nju Jorkut por edhe për mbarë njerëzimin. Në këtë 70-vjetor, ne kujtojmë me mirënjohje dhe respekt, sakrificat dhe rolin e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera Aleate në dhënien fund të një kapitulli tragjik për mbarë botën. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore shënoi dhe fundin e tmerreve, masakrave, spastrimeve etnike dhe gjenocidit nazist mbi hebrenjtë dhe grupet e tjera sociale e minoritare.

Por kjo datë na shërben gjithashtu edhe si një moment reflektimi dhe ndërgjegjësimi për kërcënimet dhe sfidat aktuale të paqes dhe sigurisë në botë, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Të gjithë kemi përgjegjësinë e madhe, që të mos lejojmë përsëritjen e mizorive të tilla. Zhvillimet e dy dekadave të fundit na demonstrojnë se, askush sot nuk është imun nga kërcënimet e grupeve terroriste dhe vendet që i sponsorizojnë ato. Përmes akteve terroriste, por jo vetëm, ata po venë në provë qytetërimin tonë. Përballë kërcënimeve dhe sfidave globale nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përveç se të reagojmë e veprojmë të bashkuar, shpejt dhe të vendosur. Është në interesin tonë të përbashkët të garantojmë paqen dhe sigurinë në botë, si dhe zhvillim e saj të qëndrueshëm.

Ndihem krenar që edhe vendi im është rreshtuar pa hezitim në të gjitha aleancat e iniciuara nga Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ruajtjes së paqes dhe sigurisë në botë. Shqipëria ka dhënë e po jep kontributin e saj me trupa dhe ekspertë ushtarakë e civilë në misione të ndryshme paqeruajtëse, si në Afganistan, Irak, Çad, Gjeorgji, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, por edhe në luftën kundër ISIS, etj., dhe do të vijojë ta bëjë një gjë të tillë sa herë të nevojitet.

Ashtu si tani, edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u rreshtua në krahun e vendeve aleate kundër Gjermanisë naziste dhe aksit të së keqes. Me fuqinë e saj modeste, Shqipëria kontribuoi në mundjen e ushtrisë naziste. Por një kontribut të madh moral vendi im ka dhënë në mbrojtje të hebrenjve gjatë kësaj periudhe të errët. Në Shqipëri, hebrenjtë kurrë nuk e kanë fshehur identitetin e tyre. Historianët kanë arritur në përfundimin se gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri nuk janë evidentuar akte viktimizimi, dëbimi dhe as bashkëpunimi me nazistët kundra hebrenjve. Përkundrazi, faktet flasin se në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria numëronte disa herë më shumë hebrenj në territorin e saj, se sa në fillim të Luftës, duke u konsideruar si vendi i vetëm në Evropë me këtë rekord. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria u pa si një atdhe i mundshëm për hebrenjtë e rrezikuar të Evropës.

Hapja e dyerve për hebrenjtë u bë e mundur falë trashëgimisë historike dhe harmonisë fetare, por edhe dy institucioneve të forta morale të shoqërisë shqiptare, siç janë: Kodi i BESË-s, fjalës së dhënë dhe e mbajtur; dhe Mikpritja e kodifikuar në shprehjen: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut. Shumë autorë shqiptarë apo të huaj kanë shkruar në dy dekadat e fundit për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe hebrenjve dhe sot do të kemi gjithashtu mundësinë të ndjekim edhe ligjëratën e Zotit Norman Gershman, i cili do të flasë për Kodin e Besës.

Prandaj dhe sot, kur roli i popullit shqiptar në mbrojtjen e hebrenjve nga regjimi nazist sintetizohet në një rezolutë të mbështetur nga përfaqësuesit e Nju-Jorkut, ndihem vërtet shumë krenar. Evidentimi i këtij fakti, është një thirrje për të gjithë ndërgjegjen tonë në mbrojtje të gjithkujt që persekutohet apo dhunohet për shkak të racës, besimit fetar apo orientimit seksual.

Fatkeqësisht, sot pas 70 vjetësh,  në shumë pjesë të globit, përfshirë dhe vende të kontinentit evropian, vërejmë me keqardhje një ndjenjë antisemite në rritje. Aktet e fundit terroriste antisemite në Francë, por edhe vende të tjera, na bëjnë të mendojmë se objektivi i arritur 70 vite më parë, po vihet sërish në pikëpyetje. Brezave të rinj ne nuk duhet t’i lëmë pikëpyetje e paragjykime të tilla, por në luftën kundër antisemitizmit dhe në mbrojtjen e lirive themelore të përcaktuara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, duhet të veprojmë së bashku dhe me vendosmëri.

Mësimet e marra nga historia nuk duhen harruar, por përkundrazi ato duhet të na shërbejnë që ngjarje të dhimbshme që rëndojnë në memorien e shoqërisë njerëzore, të mos përsëriten kurrë më.

Zonja dhe zotërinj,

Duke përfituar nga rasti do të doja që shkurtimisht të ndalesha edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuar, për të cilat dëshiroj të theksoj që në fillim se ato janë të shkëlqyera, miqësore dhe të një rëndësie parësore e strategjike për Shqipërinë. Ndryshimet demokratike në fillim të viteve ’90-të në Shqipëri, bënë të mundur rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, të cilat sot janë shumë dinamike dhe pozitive në të gjitha fushat.

Kombi shqiptar, kudo që ai jeton, i dedikon mirënjohje Shteteve të Bashkuara për ndihmën që i kanë dhënë në garantimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por edhe në garantimin e lirive dhe të drejtave të tyre në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, si në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.

Jemi gjithashtu mirënjohës edhe për mbështetjen dhe ndihmën që Shtete e Bashkuara kanë dhënë në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike shqiptare në arritjen e standardeve të nevojshme për të qenë anëtar aktiv i Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO-s.

Por, një pjesë e mirënjohjes i përket edhe diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo diasporë, kryesisht që nga fillimi i shekullit të kaluar, është ndër më të mëdhatë dhe pjesë e pandarë e historisë së popullit shqiptar, pasi përfaqëson të gjitha trevat shqiptare. Ajo jo vetëm që ka ndikuar gjithmonë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, por ka pasur dhe një ndikim shumë të madh dhe lobues në nxitjen e zhvillimeve pozitive e demokratike në Shqipëri.

Rolin e këtij komuniteti për zhvillimet në Shqipëri e ka shprehur në mënyrë metaforike e shumë të domethënëse në vargjet e tij, njëri prej përfaqësuesve më në zë të diasporës shqiptare në SHBA, Imzot Noli. Vargjet e tij: Mbahu nënë (Shqipëri) mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë; kanë qenë lajtmotiv i shpresës për shqiptarët në ditët më të errëta të ekzistencës së tyre.

Pjesë e kësaj diaspore sot në Shtetet e Bashkuara, është dhe Përfaqësuesi i Asamblesë së Nju Jorkut për Distriktin 80, zoti Mark Gjonaj, i cili është dhe një nga iniciatorët e rezolutës së sotme. Njerëzit e kanë votuar zotin Gjonaj, duke vlerësuar shërbimet e tij qytetare, filantropinë dhe përkushtimin ndaj problemeve të komunitetit. Ai është bërë një zë i fuqishëm i qytetarëve të distriktit të tij, por gjithashtu edhe një shembull i shkëlqyer për komunitetin shqiptar të Nju Jorkut dhe Shteteve të Bashkuara. Prezenca dhe aktiviteti i tij në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, si dhe kontributi i spikatur në forcimin e marrëdhënieve historike shqiptaro-amerikane, i ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët.

Në mbyllje do të dëshiroja që t’ju falënderoja për vëmendjen dhe mundësinë që më dhatë për të qenë i pranishëm në këtë sesion të Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, si dhe t’ju uroja suksese në punën tuaj fisnike, në shërbim të të gjithë njujorkezëve. Ju faleminderit!’’

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb