Jasir Asani është një nga të paktat gjëra pozitive te Partizanit në sezonin që u mbyll, por paraqitjet pozitive të futbollistit nga Kumanova kanë bërë që ai të jetë shumë i kërkuar në merkato.

Në një intervistë për mediat në vendin e tij, konkretisht për ‘Sporti’, Asani ka treguar për të ardhmen.

“Ky ishte një sezon i vështirë për ne, me luhatje të mëdha. Partizani nuk e meriton asnjëherë të jetë në vendin e 5, por për të qenë kampion. Gjatë këtij sezoni kishte shumë ndryshime dhe kjo ka ndikuar gjatë këtij sezoni.

Partizani është një klub i madh në Shqipëri dhe përpara nisjes së kampionatit ishte vetëm një qëllim, të shpalleshim kampion. Tifozët i kuptojmë dhe shpresojmë t’i gëzojmë në sezonin e ardhshëm. Jam i lumtur që kam luajtur për fanellën e kuqe dhe mund të them se jam pritur mirë.

Ndeshja ime më e mirë me Partizanin ishte ajo ndaj Skënderbeut. Ndiej keqardhje për situatën e Skënderbeut dhe nuk dua të komentoj më tepër këtë çështje. Tashmë sezoni është mbyllur me Partizanin dhe është afati i transferimeve. Kam disa oferta serioze, nga klube në Shqipëri, Maqedoni por edhe klube të tjera në Europë, megjithatë do të flas me presidentin e klubit. Për momentin mendoj se në Maqedoni është e vështirë të rikthehem, por do të kërkoj të largohem në Europë”, ka thënë Asani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb