TIRANE
Galeria “Zeta” ka hapur ekspozitën “Manifesto Dezertim”, vijim i një projekti të vjetshëm, ideja e të cilit është të krijojë mundësi përmes të cilave njerëzit mund të shohin a interpretojnë artin në kushtet e neoliberalizmit, kur arti është fort i lidhur me politikën. Raino Risto një prej pjesëmarrësve, shpjegon.
“Kuptimi i manifesto, është një shkrim a adeklaratë që tregon një rrugë tjetër për të ardhmen. Tani vjen ‘Manifesto Desertion’, si mund të krijojmë një mundësi për të ikur, prandaj është gjithë hapësira e galerisë bosh, ka një instalacion audio, por hapësira është bosh dhe është shtruar asfalti.
Dezertimi është kundërshtim i sistemit në mënyrë më radikale derisa të jesh “i vdekur’ për sistemin, por pas kësaj, dezertimi sjell një narrativë të re”, thotë Risto.
Çfarë është asfalti në këtë rast?
“Në këtë rast asfalti është një simbol. Sapo hyn në galeri e gjen veten në mes të këtij materiali që të kujton kontekstin e neoliberalizmit, domethënë zhvillimi dhe shtrirja dhe pastaj është material mbytës të vjen era e asfaltit. Është ideja që hapësira e neoliberalizmit, është hapësirë mbytëse”.
E gjitha luhatet mes kufijve të një manifesti politik më shumë se sa arti. Ekspozita që shtrihet përgjatë muajve korrik, gusht e shtator, bashkon disa artistë dhe disa vendndodhje. Eventet do të mbahen në periferi, jashtë galerisë dhe dokumentimi i tyre do të vijë në galeri. E konceptuar me një galeri bosh që mbushet përgjatë procesit, ajo përfshin edhe një piktturë të Zef Shoshit, disa instalacione të përkohshme nëpër qytet, pa lënë jashtë projetkit edhe pyllin orbital.