Votimi i Serbisë pro rezolutës së OKB-së që dënon pushtimin e Ukrainës nga Rusia ka prodhuar një farë entuziazmi dhe lehtësimi si tek qeveria Rama edhe tek mediat pranë saj. Rama me gëzim deklaronte se vota e Serbisë kundër pushtimit rus unifikonte Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë analisti i njohur Mero Baze shpjegonte “dorëzimin” e Serbisë përballë presionit perëndimor.

Natyrisht që vota serbe pro rezolutës së OKB-së është pozitive për rajonin. Padyshim që duhet lavdëruar dënimi publik që Serbia i ka bërë pushtimit të Ukrainës. Ama kjo nuk mjafton për të argumentuar se Serbia tashmë është rreshtuar me perëndimin dhe kundër Rusisë.

Më shumë se me realitetin gjeopolitik të Serbisë ky konkluzion ka të bëjë me nxitimin e qeverisë Rama dhe të mediave pranë saj për të shpëtuar nismën e Ballkanit të Hapur, që pushtimi rus i Ukrainës e hodhi në koshin e plehrave. Entuziazmi qeveritar për votën serbe në OKB nuk mund të fsheh faktin se Serbia vazhdon të mbetet aleate strategjike e Rusisë së Putin në Ballkan si ekonomikisht dhe ushtarakisht.

Ndërkohë që votoi pro rezolutës së OKB-së, që ka thjesht vlerë simbolike, Serbia ka refuzuar sanksionet ndaj Rusisë, që kanë vlerë reale. Para ajo nga njëra anë dënon pushtimin rus, por nga a tjetër mbështet regjimin e Putin duke mos pranuar të marrë pjesë në politikën e sanksioneve perëndimore.

Kemi të bëjmë me një qëndrim tipik të Serbisë që vazhdimisht ka luajtur me dy porta, duke mbajtur një këmbë në perëndim dhe tjetrën në Rusi. Janë të shumta arsyet e këtij qëndrimi serb, një pjesë edhe të kuptueshme, në raport me historinë, ekonominë dhe gjeopolitikën e këtij vendi. Ashtu sikurse është e qartë që kjo lojë e Serbisë po bëhet gjithnjë e më vështirë përballë unifikimit dhe armiqësimit të perëndimit me Rusinë e Putin.

Ama votimi i Serbisë pro rezolutës së OKB-së nuk e ka ndryshuar pozicionin e saj aktual si aleate strategjike e Rusisë, pavarësisht entuziazmit pro-qeveritar që ngjyros Vucicin si perëndimor teksa denoncon Albin Kurtin si anti-amerikan. Serbia vazhdon të jetë thellësisht e integruar ekonomikisht dhe ushtarakisht me Rusinë. Një votë në OKB nuk mund fshijë dhe as të fshehë lidhjen e saj të ngushtë me Rusinë në gjeopolitikën e Ballkanit.

Ndaj ideja se pas votimit në OKB Serbia është rreshtuar në krah të perëndimit dhe NATO-s, apo se papritmas jemi të unifikuar me të në qëndrimin tonë pro-perëndimor, është në rastin më të mirë naivitet dhe në rastin më të keq propagandë. Qeveria Rama dhe mbështetësit e saj nuk kanë përse të shpikin një Serbi imagjinare për të shpëtuar një nismë si Ballkani i Hapur që tashmë nuk ekziston.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb