Senatorja Kyrsten Sinema nga Arizona njoftoi të premten se ka lënë Partinë Demokrate dhe është regjistruar si e pavarur, por shtoi se nuk planifikon të bashkohet me republikanët në Senat, duke bërë kështu të mundur që demokratët të ruajnë epërsinë e tyre të ngushtë në Senat.

Senatorja Sinema, e ka modeluar qasjen e saj politike në stilin joideologjik të ish senatorit republikan nga Arizona John McCain dhe ka nervozuar herë pas here kolegët demokratë me disa qëndrime të afërta me republikanët dhe kundër përparësive të demokratëve.

Ajo tha se me vendimin e saj “po deklaronte pavarësinë nga sistemi i kalbur polarizues në Uashington.”

Në një video ku shpjegon vendimin e saj, ajo shprehet: “Regjistrimi si e pavarur është një reflektim i asaj që kam qenë gjithmonë. Asgjë nuk do të ndryshojë për mua.”

Senatorja e cila po shërben në mandatin e saj të parë shkruante në gazetën “The Arizona Republic” se ajo erdhi në detyrë me zotimin që “të jetë e pavarur dhe të punojë me këdo për të arritur rezultate të qëndrueshme.

“Unë premtova se nuk do t’i shpallja armiq njerëzit me të cilët nuk pajtohesha, nuk do të angazhohesha në sulme politike dhe as nuk do të shpërqendrohesha nga dramat politike. Unë kisha premtuar se nuk do të përkulem kurrë para trysnisë të partisë”, shprehet ajo

Ajo vazhdon se qasja e saj është “e rrallë në Uashington dhe ka bërë të pakënaqura të dyja palët”, por “ka dhënë rezultate të qëndrueshme për Arizonën”. Sen. Sinema tha gjithashtu se ajo “nuk e gjen veten plotësisht tek asnjera parti”.

Para njoftimit të senatores së Arizonës, demokratët pritej të kishin një avantazh 51-49 në Senatin e ri në janar, pas fitores të martën të senatorit demokrat Raphael Warnock në raundin e dytë të zgjedhjeve në shtetin e Xhorxhias.

Sen. Sinema i tha faqes së lajmeve “Politico” në një intervistë se nuk do të bashkohet me grupin e Senatorëve republikanë dhe se planifikon të vazhdojë të votojë siç ka bërë që kur fitoi zgjedhjet për Senatin në vitin 2018. Para Senatit ajo ka shërbyer për tre mandate në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ajo pritet t’i mbajë postet në komisionet e senatit në bazë të shumicës demokrate, sipas një këshilltari demokrat të Senatit. Dy senatorë aktualë të pavarur, Bernie Sanders i Vermontit dhe Angus King i Meinit, bëjnë pjesë në grupin e demokratëve.

Së bashku me Senatorin Joe Manchin të Virxhinias Perëndimore, Senatorja Sinema ka qenë një nga dy demokratët e moderuar dhe gatishmëria e saj për të votuar ndryshe nga senatorët e tjerë demokratë, ka kufizuar herë pas here ambiciet e presidentit Joe Biden dhe udhëheqësit të shumicës në Senat, Chuck Schumer.

Sinema është një mbrojtëse e vendosur e një rregulli të Senatit sipas së cilit duhen 60 vota për të miratuar pjesën më të madhe të legjislacionit në Senatin prej 100 anëtarësh. Shumë demokratë, përfshirë presidentin Biden, thonë se një rregull i tillë çon në bllokim duke i dhënë një pakice ligjvënësish mundësinë për të vënë veton./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb