Vetëm ashpërsimi i kodit penal, një premtim i kryeministrit Rama, nuk do mund ta ndalë dhunën ndaj mjekëve. I këtij mendimi është doktor Ibrahim Bruka, mjek në klinikën kirurgjikale në QSUT.

Mbështetur në eksperiencën e gjatë të punës në spital, mjeku arrin në konkluzionin se problemet janë shumë fish më të thella nga sa kërkon t’i paraqesë qeveria që sipas tij është kujtuar shumë vonë për rregullimin e bazës ligjore në mbrojtje të bluzave të bardha.

“Në parim e përshëndes vendimin që ka marrë kryeministri në lidhje me mjekët. Është shumë vonë, por nuk besoj se kjo e zgjidh çështjen e mjekësisë shqiptare. Nuk është burgu që zgjidh gjithçka, mjekësia shqiptare ka shumë halle. Halli i parë është se nuk paguhen mjekët, nuk paguhet personeli mjekësor. Janë shumë të vështira kushtet e punës. Ka shumë mungesa. Është shkelur shumë herë kodi i punës, mjekët nuk marrin shpërblim rrogën e 13-të asnjëherë. Nuk paguhen aq sa duhet, sa paguhen dhe komshinjtë në Maqedoni dhe Kosovë dhe kështu që me mini pagesë, me kushte mizerabël, kjo pjell edhe këto ndodhitë që dhunohen mjekët që janë misionarë të shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë”, thotë mjeku Bruka.

I të njëjtit mendim është edhe doktor Genti Stroni një prej mjekëve të dhunuar gjatë ushtrimit të detyrës. Mjeku argumenton nevojën e një analize të thellë të shkaqeve që çojnë drejt dhunimit të bluzave të bardha.

“Dhe në regjimin socialist mbaj mend mjekë të cilët kanë vdekur, në atë kohë si pasojë e goditjes nga agresorë dhe agresori shkonte drejt vdekjes, pra që ishin masa ekstreme të asaj kohe, unë them që përsëri nuk ishte e eliminuar, pra është një fenomen i vjetër i cili vazhdon të jetë edhe në ditët moderne. Por nuk do e eliminojë vetëm kjo gjë, kjo masë. Do duhet të merren disa masa pas një analize të thellë. Në radhë të parë të shikoheshin faktorët e brendshëm, të mjekëve dhe të infermierëve, të stafit dhe të personelit shëndetësor. Mund të shikohet etika se si komunikon personeli, mund të shikohet korrupsioni që është një moment për të cilin qoftë qeveria, qoftë kushdo nga popullata e shikon si pika nevralgjike për të atakuar bluzën e bardhë. Infrastrukturat, politikat që duhet të vlerësohen. Nëse ne themi që QSUT duhet të jetë një spital terciar nuk ka arsye pse QSUT të bëjë rolin e ambulancës”, shprehet doktor Stroni.

Sipas Stronit me rënien e diktaturës ka ndodhur një diferencimin në kahun negativ në vlerësimin e punës së mjekut që deri para viteve 90 paguhej njësoj si juristi në sistemin e drejtësisë.
“Drejtësia dhe mjekësia paguheshin me 750 ose 7500 lekë të vjetra të asaj kohe deri në 8 mijë lekë. Tashmë ne kemi një diferencim. Thuhet që gjykatësi ka nevojë për t’u paguar mirë që të mos korruptohet, por ndoshta duhet parë dhe kjo gjë në mjekësi. Ja ku është një pikë e tretë. nuk arritëm t’ia thoshim kryeministrit por ia evidentuam ministres”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb