Zvicra me Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin në fushën e lojës, si dhe me Ardon Jasharin në stol, merr fitoren e parë në grup, duke mposhtur 1-0 Kamerunin. Një sukses jo i lehtë, por me shumë vlerë, duke parë që në këtë grup janë edhe Brazili me Serbinë.

Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me dy skuadrat që nuk pritën të studionin njëra-tjetrën por u hodhën në kërkim të golit. Zviceranët kërkonin më shumë nga krahët, por munguan krosimet në zonë. Ndërsa Kameruni në dy raste mund të kishte shënuar.

Pjesa e dytë nis me gol. Në 48’, Shaqiri fut një top të bukur në zonë dhe Embolo nuk fal përballë portierit. Sulmuesi zviceran nuk feston, pasi origjina e tij është pikërisht nga Kameruni. Afrikanët reagojnë dhe hidhen në sulm për të barazuar.

Ndërsa helvetët nuk tregohen efikasë me ndonjë kundërsulm vrastar për të mbyllur ndeshjen. Sfida ishte e hapur deri në fund, por Zvicra menaxhon shumë mirë avantazhin e golit dhe merr tri pikët e para në grup.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb