TIRANE- Ambasada Gjermane në vendin tonë ka reaguar pas disa raportimeve në media lidhur me përfitimin e një mbështetje financiare në rastin e kthimit të azilkërkuesve me shtetësi shqiptare.

Por në sqarimin e ambasadës theksohet se nuk do të ketë asnjë asistencë të re financiare për azilkërkuesit shqiptarë të refuzuar.

“Ndryshe nga ç’raportojnë mediat shqiptare, azilkërkuesit me shtetësi shqiptare në Gjermani, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, duke nisur nga data 1 dhjetor 2017 nuk mund të marrin në konsideratë asnjë mbështetje të mëtejshme financiare apo asistencën financiare për kthim.

Gjermania e ka kategorizuar Shqipërinë si vend të sigurt të origjinës: kërkesat për azil nga shtetasit/et shqiptarë/e – sikurse edhe nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor – përpunohen me procedura të përshpejtuara dhe refuzohen praktikisht në çdo rast”, thuhet në reagim.

Sipas ambasadës gjemane, azilkërkuesit e refuzuar duhet të kthehen në Shqipëri. Po kështu ata mund të dënohen me ndalim hyrjeje në të gjithë hapësirën e vendeve Schengen për një periudhë, që mund të zgjasë deri në pesë vjet, nëse ata nuk pranojnë të largohen me dëshirën e tyre por kthehen forcërisht në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb