TIRANE – Prokuroria për Krime të Rënda ka urdhëruar ndalimin e shtetases Amarilda Leka, e dyshuar për konsumimin e veprave penale të “Kallëzimit të rremë” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm…”. Rezulton se kjo shtetase u ka marrë rreth 24.500 euro familjarëve të një personi në paraburgim, për të ndërhyrë te gjyqtari i çështjes, me qëllim zbutjen e dënimit të të akuzuarit.

Fillimisht, Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të informacionit të ardhur nga Policia e Tiranës, nisi verifikimet për elementët e mundshëm të veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit…”. Por, në vijim, rezultoi se shtetasja Amarilda Leka, nëpërmjet mashtrimit, u ka marrë shumën e sipërpërmendur familjarëve dhe nuk ka zhvilluar asnjë kontakt me funksionarët e drejtësisë.

Pasi kanë konstatuar që janë mashtruar, familjarët e personit të paraburgosur kanë kontaktuar me shtetasen Amadilda Leka dhe i kanë kërkuar kthimin e shumës së parave që i kishin dhënë. Pas diskutimit ndërmjet këtyre dy palëve, Leka ka bërë kallëzim në polici pasi, sipas saj, është kanosur nga familjarët e të paraburgosurit. Më konkretisht, në kallëzimin e bërë ajo ka deklaruar se shtetasi Z.GJ., i cili është vëllai i një personi të arrestuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, ka ushtuar dhunë ndaj saj dhe prindërve të saj, me qëllim që t’i paguanin një shumë prej 24.500 eurosh.

Ajo ka kallëzuar se ka njohur shtetasin Z.GJ. dhe motrën e tij, pasi ia kishte prezantuar një person femër e quajtur S., e cila ushtron aktivitet si estetiste në Tiranë. Leka ka thënë se ka qenë S. ajo që nëpërmjet saj ka kërkuar dhe më pas ka marrë lekët, me pretendimin se do të ndërhyjë te gjyqtarja që e kishte kliente. Por, provohet se shtetasja Amarilda ka gënjyer lidhur me rrethanat e kallëzuara prej saj. Rezulton se personi që ka marrë paratë ka qenë vetë ajo. Rezulton se kjo e fundit nuk i ka dorëzuar paratë te shtetasja S., e cila provohet se nuk ka marrë asnjë pjesë nga sasia e parave. Gjithashtu rezulton se shtetasja S. nuk ka marrë përsipër të ndërhyjë te ndonjë person me funksion gjyqtar.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: