TIRANË

Deputeti i PD Tritan Shehu ka dhënë një formulë për bashkimin e Partisë Demokratike pas rezultatit të 6 marsit në 6 bashki në vend.

Shehu deklaron se PD nuk mund të bashkohet mbi përjashtimet apo kufizimet, por mbi votën. Sipas tij, Basha është humbësi i 6 marsit dhe ish-kryetar, por se askush nuk duhet të largohet nga PD.

POSTIMI I PLOTË

PD nuk mund të bashkohet mbi përjashtimet a kufizimet, por mbi votën. Mbrëmë dëgjoja mendime, projektime për atë që PD duhet të bëjë për t’u bashkuar, edhe nga ajo mbledhja brenda atij “bunkeri”.

Pozitive që dhe aty po flitet për bashkim, të gjithë janë të mirëpritur.

Por së pari u kujtoj kolegëve të atyshëm se PD nuk është ndonjë zyrë e vulë e uzurpuar; PD janë idealet, njerëzit kudo, që besojnë e luftojnë për ato.
Janë ata mijëra që jashtë atij “bunkeri” me punën e vendosmërinë e tyre i shpëtuan më 6 Mars “nderin” PD, aq shumë i rrezikuar ky nga “sekti i bravës”.

Janë pikërisht këta që ju sollën dhe ju në Sallën e Kuvendit, dëgjojini ata! Së dyti, të habisin disa, që “bashkimin” e kërkojnë nëpërmjet përjashtimeve!
“Duhet të largohet Basha dhe Berisha”, një logjike staliniste kjo. Basha është humbësi i 6 Marsit, recidivues, ai është ish-Kryetar prej 18 Dhjetorit, që duhet të lirojë zyrën.

Ndërsa Berisha është fitimtari edhe i 6 Marsit pa qenë Kryetar, pa pasur as zyrë. Ai nuk është “gogoli”, që Basha kërkon ta paraqesë për të mbajtur “vulën”, është lideri historik.
Megjithatë askush nuk duhet të largohet nga PD, as kryetari i shkarkuar, i cili vetëm duhet t’u kthejë demokratëve atë çfarë u mban padrejtësisht.

Berisha jo se jo- dhe as mund ta largojnë; “bravat” e tentuan një herë. Secili mund e duhet të qëndrojë në PD, pavarësisht është apo nuk është kryetar.
Dhe më tej kush të dëshirojë, nga PD reale apo nga brenda atij “bunkeri”, pa kufizime, do të mund të kandidojë për të qenë “Kryetar”.

Do të jetë vota e demokratëve të bashkuar ajo që do të vendosë Kryetarin.Demokracia nuk përjashton e as mund t’i kufizoje të drejtat anëtarit të PD.
Kjo është formula e bashkimit, demokratizimit, zgjerimit, si prelud i fitores mbi regjimin, tjetra është psikologjia leniniste e “bravës”.

Çlirohuni prej saj, bëhuni demokrate! Sepse me atë, ai lloj “bashkimi” do të mbetej vetëm demagogji ose utopi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: