Një armëpushim ka hyrë në fuqi pas 11 ditë luftimesh të ashpra mes Izraelit dhe grupit militant Hamas që kontrollon Gazën. Luftimet morën shkak nga protestat dhe përplasjet në Jeruzalem. Palestinezët pretendojnë se fituan, por përballen me detyrën e vështirë të rindërtimit të Gazës. Izraeli thotë se ka degraduar infrastrukturën ushtarake të Hamas-it, por nuk arriti të ndalë sulmet me raketa të militantëve.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyah,u po përballet me kritika se i dha fund shumë herët operacionit, ndërsa pritet të rifillojnë bisedimet për qeverinë e re. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara janë përfshirë sërish në rolin e padëshirueshëm të negociatorit në Lindjen e Mesme. Asnjë nga çështjet themeltare të konfliktit izraelito-palestinez nuk është trajtuar.

Pothuajse askush nga të dyja palët nuk pret që kjo luftë, e cila u shkaktua nga protesta dhe përplasje në Jeruzalem, të jetë e fundit.

Izraeli kreu qindra sulme ajrore ndaj atyre që tha se ishin objektiva militantësh në mbarë Gazën, duke shkatërruar shtëpi dhe dëmtuar infrastrukturën jetësore në territorin e varfër, i cili ka qenë nën një bllokadë dërrmuese që kur Hamasi mori pushtetin atje 14 vjet më parë.

Ndërkohë, militantët palestinezë lëshuan më shumë se 4 000 raketa në drejtim të Izraelit, disa prej të cilave arritën deri në Tel Aviv dhe shkaktuan bllokimin e pjesës më të madhe të vendit.

Të paktën 243 palestinezë u vranë, përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra, ndërsa 1 910 u plagosën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. Dymbëdhjetë njerëz në Izrael, përfshirë një djalë 5-vjeçar dhe një vajzë 16-vjeçare, u vranë.

Ja një vështrim në ngjarjet që pasuan:

___

NJË TJETËR NGËRÇ

Palestinezët përtej Gazës, Jeruzalemit lindor dhe Bregut të pushtuar Perëndimor festuan atë që shumë e panë si një fitore të Hamasit kundër një Izraeli shumë më të fuqishëm. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndërkohë u përball me kritika nga baza e tij e linjës së fortë, shumë prej të cilëve e akuzuan se i dha fund luftës para kohe, pa e mundur Hamasin.

Zoti Netanyahu tha se Izraeli u shkaktoi dëme të mëdha kapaciteteve ushtarake të Hamasit, duke vrarë 200 militantë, përfshirë 25 komandantë të lartë. Ai thotë se u goditën më shumë se 100 kilometra (60 milje) tunele të militantëve, si dhe raketahedhës dhe infrastrukturë ushtarake.

Por Izraeli nuk arriti të ndalë zjarrin e raketave.

Militantët palestinezë filluan breshëri masive me raketa që nganjëherë dukej se tejkalonin kapacitetet e mbrojtjes së fortë ajrore të Izraelit. Ushtria izraelite thotë se pati një përqindje interceptimi prej 90% dhe se qindra raketa ranë në Gaza, ku një prej tyre vrau një familje palestineze me tetë persona.

___

NJË TJETËR ARMËPUSHIM I BRISHTË

Ashtu si me tre luftërat e fundit, luftimet u ndalën nga një armëpushim informal i ndërmjetësuar nga Egjipti dhe ndërmjetësuesit e tjerë, kushtet e sakta të të cilit nuk u bënë publike.

Hamasi pretendoi se Izraeli ra dakord të ndalë veprimet e policisë në pikën e nxehtë të Xhamisë Al-Aqsa në Jeruzalem dhe dëbimin e planifikuar të familjeve palestineze nga lagja aty pranë, Sheikh Jarrah. Planet kishin shkaktuar protesta dhe përplasje të palestinezëve me policinë dhe sollën përfundimisht luftën. Megjithatë nuk pati ndonjë konfirmim nga Izraeli apo ndërmjetësuesit.

Armëpushimet e mëparshme kanë ndalur luftimet e mëdha por kanë rezultuar të paqëndrueshme. Izraeli dhe Hamasi kanë bërë katër luftëra dhe kanë shkëmbyer zjarr të panumërt që kur grupi militant islamik mori kontrollin e Gazës nga forcat besnike ndaj Autoritetit Palestinez në vitin 2007. Përleshjet në Al-Aqsa pas lutjeve të së premtes ishin një testim i hershëm i qëndrueshmërisë së armëpushimit.

Asnjë armëpushim nuk ka trajtuar çështjet themelore, përfshirë okupimin izraelit në tokat që palestinezët dëshirojnë për shtetin e tyre të ardhshëm dhe refuzimin e Hamasit për të njohur të drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Izraeli dhe palestinezët nuk kanë zhvilluar bisedime thelbësore për paqen prej më shumë se një dekade.

___

SËRISH ZGJEDHJE NË IZRAEL?

Kundërshtarët politikë të Netanyahut ishin në prag të formimit të një qeverie dhe largimit të tij pas katër zgjedhjeve pa rezultate të qarta në dy vjet. Por, negociatat delikate të koalicionit me partitë arabe u ndërprenë kur shpërthyen luftimet.

Lufta fillimisht dukej se forconte perspektivat politike të Netanyahut, duke i mundësuar atij të paraqitej si një udhëheqës i ashpër që po ndëshkonte armiqtë e vendit. Por që kur armëpushimi hyri në fuqi, ai është përballur me kritika të reja.

Asnjëherë nuk ka qenë e qartë nëse kundërshtarët e Netanyahut, të cilët përfshijnë një spektër politik të përbërë që nga aleatët e tij të dikurshëm të djathtë dhe deri tek partitë arabe, do të ishin në gjendje të linin mënjanë mosmarrëveshjet e tyre për ta larguar atë nga pushteti. Ekziston edhe mundësia e zgjedhjeve të tjera më vonë gjatë këtij viti.

Izraelitët kanë qenë thellësisht të polarizuar për sa i përket zotit Netanyahu në vitet e fundit, pasi ai është përballur me akuza për korrupsion, për të cilat tani po gjykohet. Në muajt para luftës, aktivistët kishin organizuar protesta javore përpara banesës së tij. Ato tani është vendosur të rifillojnë.

___

NJË TJETËR NDËRHYRJE E SHTETEVE TË BASHKUARA

Administrata e Presidentit Biden, e cila kishte shpresuar të nxirrte SHBA-në nga konfliktet e pamenaxhueshme të rajonit për t’u përqëndruar tek Kina që po fuqizohet dhe tek ndryshimet klimatike, u kap në befasi dhe u tërhoq sërish në rolin e padëshiruar të ndërmjetësuesit në Lindjen e Mesme.

Që nga fillimi i luftës së fundit, Shtetet e Bashkuara në mënyrë të përsëritur pohuan të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, ndërsa inkurajuan në heshtje përpjekjet për armëpushim. Të mërkurën megjithatë, Presidenti Joe Biden i tha zotit Netanyahu se ai donte të shihte një “çtensionim domethënës”.

Fillimisht, zoti Netanyahu u duk se refuzoi, duke thënë se ishte “i vendosur të vazhdonte” ofensivën derisa të përmbusheshin objektivat e saj. Por, ai ra dakord për armëpushimin të nesërmen.

Shkëmbimi shënoi një sprovë të hershme të marrëdhënies midis dy udhëheqësve, të cilët kanë patur momente tensioni ndër vite. Zoti Biden ndërkohë përballet me presionin e brendshëm nga baza demokrate që mbështet gjithnjë e më shumë palestinezët.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka në plan të vizitojë rajonin në ditët në vijim./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb