Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të gjithë socialistët se nuk do të jenë pjesë e zgjedhjeve të 2021-shit, nëse nuk japin jo thjesht gjithçka kanë, por edhe gjithçka duhet.

Në fjalën e tij të parë në nisje të këtij sezoni politik, pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS në Elbasan, kreu i qeverisë deklaroi para socialistëve se të gjithë mund të kenë potencialin për të qenë pjesë e skuadrës më 2021, por askush nuk e ka sot të garantuar këtë vend.

“Le ta dëgjojnë të gjithë se kush nuk do të japë jo thjesht gjithçka ka, por gjithçka duhet për t’u futur në formacion, nuk do të jetë në formacion. Për mua është shumë e qartë se askush tjetër përveç PS nuk e con dot Shqipërinë përpara. Është shumë e qartë se paaftësia dhe papërgjegjshmëria, që rëndon e stimuluar nga ligësia, e atyre që udhëheqin partitë e tjera, nuk mund të jenë arsye për ta fituar ndeshjen pa kundërshtarë. Është bindja ime si shqiptar, si qytetar dhe prind, se të gjithë e kanë potencialin për të qenë pjesë e skuadrës më 2021, por askush nuk e ka sot të garantuar këtë vend.

Atë do ta fitojë deri në fund, pa ‘nëse’ dhe pa ‘por’. Besoj se është një sezon me rëndësi të madhe, jo për rezultatin e zgjedhjeve, por për një ristart me energji të reja, duke bërë çdo ditë atë që duhet për t’iu përgjigjur pyetjes ‘çfarë bëra unë sot për PS’. Shqipëria do të vazhdojë kthesën e fortë dhe pa diskutim që në mandatin tonë të tretë Shqipëria do të jetë në një nivel tjetër”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb