TIRANË

Partia Demokratike i është përgjigjur sot maxhorancës për akuzat e përdorimit të dhunën në protestë me të tjera akuza.

Sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi tha se kryeministri Edi Rama e ka blerë pushtetin me paratë e krimit dhe se s’ka moral të burgosë popullin. Ndaj ai tha se askush nuk mund ta ndalë popullin.

“Në Shqipëri ka vetëm një grupim antikushtetues dhe me pushtet të paligjshëm politik. Ky grupim është banda e Edi Ramës, i cili e ka blerë pushtetin me paratë e pista të krimit të organizuar.
Dalja nga vrimat e miut ku ishin fshehur dje e dordolecëve të vjetëruar, injorantë dhe komunistë si Sandër Lleshaj apo kukullave të fituara në bixhoz si Etilda Gjonaj, tregon frikën që i ka hyrë në palcë kryehajdutit nga bashkimi më i madh popullor kundër tiranisë së krimit dhe korrupsionit.
Shqiptarët e kanë ndarë mendjen! Nuk ka më kthim prapa! Shqipëria e shumicës morale dhe politike nuk pranon më dhunën e korrupsionit, nuk pranon më të vidhet nga banda e Edi Ramës.
Shqipëria e shumicës kërkon t’i jepet fund një Qeverie antikushtetuese, e cila ka marrë peng integrimin europian të vendit prej 6 vjetësh, ka dëbuar 500 mijë shqiptarë nga atdheu, ka destabilizuar jetën e shumicës së familjeve shqiptare, duke u rritur taksat, duke i vjedhur, duke i lënë pa pune, duke i trajtuar si qytetarë të dorës së dytë.
Edi Rama është një kufomë politike. Ai nuk ka as forcë, as moral të akuzojë apo të burgosë popullin e bashkuar kundër qeverisë së tij kriminale dhe ilegjitime!
Beteja jonë është për Shqipërinë si gjithë Europa! Askush nuk mund të na ndalë më!”, deklaroi Bardhi nga selia e PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb