Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, komentoi në një lidhje me “Skype” për News24 arrestimin nga SPAK të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

Duke e quajtur këtë një veprim shumë të vonuar, Vasili tha se bëhet fjalë për një skenar politik të mirëmenduar, që ka pasur në krye kryeministrin Edi Rama.

Sipas Vasilit, afera e inceneratorëve është më e madhja në pluralizëm, ndërsa thekson se LSI do të vijojë denoncimet mbi të, deri sa t’i shkohet në fund.

“Është një veprim shumë i vonuar, në funksion të një skenari politik të mirëmenduar, që ka pasur në krye të tij kryeministrin, ku për fat të keq është përfshirë edhe drejtësia shqiptare. Denoncimi ka qenë i plotë nga ana e LSI, më i ploti në këto 30 vite, ka qenë një dosje e bërë gati, dhe kjo dosje për muaj të tërë ka qëndruar e mbërthyer në SPAK. Ka qenë një dosje, që krijoi të gjithë hapësirën politike, që paratë e inceneratorëve të përdoreshin për të dëmtuar LSI, për të fshehur aferën e për ta përdorur atë kur ta mendonin e kur t’iu leverdiste atyre. I vetmi hap sot është për të larguar vëmendjen nga Edi Rama dhe gjithë ministrat që janë në detyrë dhe që kanë firmosur këtë rrëmbim të 400 e ca milionë eurove. Kjo ishte afera më e madhe e pluralizmit. Vetëm pasi këta përdorën paratë e aferës në fushatën elektorale, edhe ky që u arrestua sot, sot pas kaq muajsh bëjnë teatër, ndërkohë që Rama qëndron atje i paprekur. Shqiptarët sot pyesin se pse nuk u bë drejtësi për tërë këto muaj, madje u bënë dhe deputetë ata që kishin në dorë paratë e kësaj afere? Sot, pasi afera e zgjedhjeve përfundoi, po bëhen arrestime. Unë prisja arrestime duke filluar nga Edi Rama, që duhet të ishte i pandehuri kryesor, e më tej ministrat e tij, sepse e kanë dhunuar ligjin si askush në këto 30 vite”, tha Vasili.

Pyetje: A ka qenë emri i Kokës brenda dosjes, që keni denoncuar ju?
Ai u zgjodh deputet i PS. Ka qenë në mënyrë të vazhdueshme dhe mbetet anëtar i Rilindjes, pavarësisht se u ndodh rastësisht në radhët e LSI. Denoncimet për aferën e inceneratorëve i kam bërë unë i pari dhe Koka ishte deputeti i parë kundër meje, ndonëse unë isha kryetar i grupit parlamentar. E kam denoncuar aferën, që kur isha ministër brenda qeverisë së Ramës. Ishte një pazar i këtij ministri me ministrat e tjerë të Ramës, që mund të quhen me të drejtë ‘banda e inceneratorëve’.

Pyteje: Si do ta zbardhni të plotë këtë aferë?
Ne kemi kërkuar të jemi dhe anëtarë të komisionit hemitor për këtë aferë, por kjo është kundërshtuar egërsisht nga ish-kryetari i PD, Lulzim Basha. Duket e çuditshme që ndonëse ne ishim partia e denoncimit më të rëndë në pluralizëm nuk u pranuam nga partia tjetër opozitare. Kjo pasi sic duket inceneratorët paskan pasur rrënjët e tyre edhe në opozitë dhe këtë po e marrim vesh sot. Denoncimet që kemi bërë ne ishin unike, nuk i ka bërë askush tjetër. Pas denoncimeve shumë tronditëse të LSI, që ishin aq tronditëse, sa përkundrejt denoncimeve të tjera, patën një izolim si kurrë ndonjëherë. Çdo dokument i ri që do na bjerë në dorë, do vazhdojë të denoncohet. Nuk do të ndahemi që këta të shkojnë para drejtësisë. Të mos flejë njeri rehat. Përgjegjësi kryesor quhet Edi Rama me të gjithë segmentet e tij brenda në Kryeministri dhe ata që ndodhen në pushtetin lokal. Do kërkojmë me të gjitha mjetet e mundshme që kësaj afere t’i shkohet deri në fund. Bëhet fjalë për 450 milionë euro, që po zhvaten nga xhepat e shqiptarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb