Giovanni Colella ishte në qendër të kritikave një javë më parë, por fitorja në Ballsh ka qetësuar ujërat rreth trajnerit të Partizanit. Pavarësisht ecurisë jo të mirë gjatë këtij viti, fakt është të kuqtë nuk i kanë lëshuar dy vendet e para në asnjë javë në këtë sezon.

Pavarësisht fjalëve për shkarkim të mundshëm, Colella ka arritur të thyejë një tjetër rekord. Ai është trajneri italian që ka qëndruar në krye të Partizanit më shumë ndeshje radhazi, plot 26 të tilla. 56-vjeçari ka kaluar 4 kolegë patriotë në stolin e të kuqve.

Tashmë sfida e radhës për Colella-s është të mbyllë një sezon nga fillimi deri në fund, çka do të përbënte një rekord më vete, pasi asnjë i huaj nuk e ka bërë këtë në të shkuarën në stolin e kuq.

Gjithashtu, Colella do të duhet të superojë edhe totalin e Sormanit, i cili megjithëse nuk ka mbijetuar kaq gjatë në stol, regjistron dy eksperienca te “demat” dhe në total numëron më shumë ndeshje se trajneri aktual.

Sormani numëron gjithsej 32 ndeshje me Partizanin, kështu që Colella duhet të rezistojë edhe 7 ndeshje për t’ia thyer rekordin, duke filluar nga sfida e radhës ndaj Erzenit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb