Altin Lala ka qenë i ftuari i emisionit “Panorama Sport” në “Panorama TV”, në një intervistë mjaft të veçantë ku është ndalur në shumë etapa të karrierës së tij, me klubin e sidomos me kombëtaren ku ka mbajtur shiritin e kapitenit.

Lala ka kujtuar nga fillimet e tij, e deri te sukseset me fanellën kuqezi, në një karrierë që e bëri një emër shumw tw njohur në futbollin europian.

“Që kur hyn te shkallët e stadiumit, që për mendimin tim kanë bërë një gjë jashtëzakonisht shumë të bukur për të ruajtur traditën e kujtesën për shumë tifozë që edhe janë në moshë, kur vij këtu më kujtohet gjithmonë “Qemal Stafa”. Më kujtohet kur kam qenë i vogël, se edhe shtëpinë nuk e kam pasur larg stadiumit. Pothuajse në çdo ndeshje në stadiumin “Qemal Stafa” isha i pranishëm.

Me Kombëtaren e kam filluar në janar të 1998, atëherë ishte ndeshja e parë. Kisha pasur edhe këmbë të mbarë se fituam 4-1 me Turqinë atëherë, ishin fillimet e para. Nuk luajta nga fillimi por u aktivizova gjatë pjesës së dytë, u dëmtua Tole i cili luante në të djathtë, e zëvendësova dhe fituam 4-1. Diçka e jashtëzakonshme dhe diçka jashtëzakonisht e bukur. Më pas janë 14 vite me Kombëtaren.

Momenti më emocionues si kuqezi? Absolutisht, më emocionuesja ka qenë ndeshja me Greqinë. Ka qenë diçka ndryshe edhe për mua që kam luajtur në Gjermani në stadiume të mëdha me plot tifozë. Ajo ka qenë ndeshja e jetës. Se pritshmëria ka qenë jashtëzakonisht shumë e madhe, mbaj mend kur kemi ardhur me autobus te Skënderbeu dhe kemi parë një lumë kuqezi dhe ajo ka qenë një adrenalinë… Kam qenë thuajse si i mpirë gjithë ndeshjen. Filloi-mbaroi ndeshja, nuk kam ndjerë asgjë, sikur nuk kisha vrapuar fare. E theksoi se presioni ishte jashtëzakonisht i madh, jashtë ishte plot, stadiumi plot i mbushur. Ajo atmosferë atë ditë, nuk e mbaj mend diku në ndonjë vend tjetër.

Çdo futbollist, apo fëmijë që luan futboll, e ka ëndërr të luajë me kombëtaren. Unë jam rritur afër stadiumit, kam qenë i pranishëm në futboll dhe një ditë të luash për kombin tënd, ka qenë e jashtëzakonshme dhe që e kam shijuar jashtë mase. E kam bërë deri ditën e fundit me përgjegjësi dhe pasion.

Eksperienca te Hanover? Faktikisht ishte viti 1998 kur nënshkrova kontratën, kemi pasur një ndeshje në 1997 me U21, në ato muaj kam nënshkruar me Hanoverin. Kur kam nënshkruar, Hanoveri ishte në Bundesligën 2 dhe pas 4 vitesh dolëm në Bundesligë dhe nga aty e ndjeva veten mirë, të respektuar. Ka qenë zgjedhje e duhur. Po të të nisesha edhe një herë, do të bëja të njëjtën zgjedhje. Kam qëndruar 14 vjet dhe po themi e mbylla aty karrierën.

Jeta si emigrant? Shumë e vështirë, jashtëzakonisht shumë. Po të mendohesha edhe një herë, do e mendoja pesë herë nëse do shkoja apo jo, edhe pse për mua ishte me fund të lumtur. Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Nuk kemi qenë të orientuar, kishim zero njohuri, është edhe për të qeshur njëkohësit se më kujtohet kur kam zbritur në aeroport, kam kapur edhe asfaltin me dorë se dukej i drejtë, çdo gjë të dukej një botë tjetër. Dhe të futësh në ato shina, të mësosh gjuhën, mentalitetin, kohën e keqe… Ato vitet e para kanë qenë shumë të vështira për mua, kam qenë në kamp azilantësh, por edhe më ka bërë më të fortë. Gjermania është shtet ku nëse punon e je serioz në gjërat që bën, të jep hapësira të jesh i suksesshëm”, tha ndër të tjera Lala në rrëfimin e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb