TIRANE- Zbardhen detaje të reja në lidhje me 4 person at e arrestuar si të dyshuar për dy grabitjet e ndodhura në rrugën e Rinasit, më datë 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt të këtij viti. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë një pjesë të hetimit të prokurorisë për mënyrën se si i pandehuri Fation Xhyliu ka informuar “shokët” e tij në momentin që ka zbuluar se do të bëhej lëvizja e parave. “Makina po del tani prej parkut”. Ky ishte SMS-ja që Xhyliu i dërgoi ish-komandos, Neim Avdulaj. Pas kësaj, 33-vjeçari nga Lushnja kishte fikur telefonin dhe kishte shkuar të luante letra. Po ashtu, nga hetimet ka rezultuar se pasi grabitja kishte përfunduar me sukses, pak ditë më pas, Avdulaj kishte shkuar në banesën e Xhylisë në Lushnjë për të lënë paratë që i takonin këtij të fundit. Kodi që ata kishin rënë dakord për të lënë ose jo paratë ishte “A ta marr një pulë tek shtëpia jote”. Si autorë të grabitjes, policia arrestoi shtetasit Fation Xhyliu, Ditjon Memlika, Neim Avdulaj dhe Ernest Kupa, si dhe u shpallën në kërkim Admir (Jetmir) Çerpja dhe Admir Nikaj (Murataj).

HETIMET E PROKURORISË
Më datë 03.12.2015, Fation Xhyliu ka qenë tek oborri i punës (Rogat Security), kur ka dëgjuar shoferin e blindit, duke thënë “kush do të vijë me mua sot në Rinas”. Ora ka qenë rreth 12 e paradites. Pasi ka marrë vesh për rrugën që ishte gati të bëhej, shtetasi Fation Xhyliu i ka nisur mesazhin shtetasit Neim Avdulaj, duke i shkruar, “makina po del tani prej parkut”. Ndërkohë shtetasi Ditjon Memlika ka qenë në një detyrë tjetër brenda Tiranës, duke lëvizur me ngarkesën e një banke tjetër. Pas nisjes së mesazhit, Xhyliu ka fikur telefonin dhe ka shkuar të luajë me shokët me letra. Rreth orës 14:00 të kësaj date, përgjegjësi i grupit i ka thënë të merrnin pajisjet dhe të shkonin me të, pa i lajmëruar se çfarë kishte ndodhur. Pasi ka shkuar në Qafë-Kashar, shtetasi Fation Xhyliu mësoi që vjedhja ishte mundur të realizohej dhe personat ishin larguar me paratë e marra nga blindi. Rreth mesit të muajit dhjetor 2015, ora 06:00, shtetasi Fation Xhyliu është kontaktuar prej Neim Avdulajt në telefonin e tij dhe ai i ka thënë “kam ardhur tek shtëpia jote në fshat në Lushnjë, a ta marr një pulë këtu tek shtëpia jote”. Fation Xhyliu i është përgjigjur “merre” dhe më pas ka fikur telefonin. Ky ishte sinjali që Neim Avdulaj kishte vendosur me Fation Xhyliun, për të lënë të hollat që i takonin nga vjedhja me armë e ndodhur.

Shuma nuk ka qenë e përcaktuar, por ajo do të kushtëzohej nga sasia e të hollave të vjedhura. Në muajin dhjetor 2015, shtetasi Fation Xhyliu është larguar nga “Rogat Security” dhe është kthyer në fshat, ku ka marrë vesh nga babai se Neim Avdulaj i kishte lënë një porosi për të, duke i dhënë një kuti dhe duke e porositur ta mbulonte diku, t’ia jepte më pas Fationit kur të vinte, pasi ai e di çfarë është. Pasi e ka marrë kutinë, shtetasi Fation Xhyliu shpjegon se ka parë në të një sasi të hollash, të cilat ishin 48.000 paund dhe 25.000 USD si edhe kartëmonedha të tjera në valutë të huaj. Sipas llogarisë, shuma kapte vlerën e 100.000 euro, apo edhe pak më shumë. Me pas, rreth muajit mars 2016, shtetasi nën hetim ka filluar të këmbejë të hollat në disa pika këmbimi valuator, në Lushnjë dhe Fier, duke detajuar shumat dhe vendet. Një pjesë e parave janë shpenzuar për të riparuar shtëpinë në Lushnjë dhe Tiranë, si edhe duke marrë me qira një dyqan parukerie ku punon bashkëshortja e tij. Pjesën tjetër të të hollave, shtetasi Fation Xhyliu i ka fshehur në banesën e tij në fshat, në dyshemenë e katit të dytë, poshtë dërrasave. Me procesverbalin e sekuestros të datës 12.02.2017, në banesën e shtetasit Fation Xhyliu, në Ngurrëz Lushnjë, në katin e dytë të saj, në dysheme, poshtë disa dërrasave të improvizuara si parket u sekuestruan dhe administruan në cilësinë e provës materiale një sasi të hollash, të cilat në total janë 48 copë kartëmonedha të prerjes 100 euro, 1430 copë kartëmonedha të prerjes 20 pound.

DOSJA I KALON KRIMEVE TË RËNDA
Dosja në ngarkim të personave të arrestuar dhe atyre që janë shpallur në kërkim i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo, për shkak se në të dyja ngjarjet e ndodhura ka dyshime të arsyeshme se autorët e tyre janë të njëjtët shtetas, u çmua e domosdoshme që materialet e mësipërme të bashkoheshin në një procedim të vetëm, që bën fjalë për veprën penale të “vjedhja me armë”, parashikuar nga neni 140 e 25 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve Fation Xhyliu, Ditjon Memlika, Neim Avdulaj dhe Ernest Kupa. Përveç kësaj, nga studimi i materialit hetimor kanë rezultuar elemente si “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Gjatë seancës së vendosjes së masës shtrënguese në gjykatë, ka rezultuar se këta persona, por edhe shtetas të tjerë të paidentifikuar deri në këtë moment të hetimit kanë marrë pjesë si edhe kanë krijuar, organizuar dhe drejtuar një grup, i cili për nga karakteristikat e funksionimit të tij paraqitet si i strukturuar kriminal. Kjo, për faktin se shtetasit e përfshirë në ngjarje janë mes tre dhe më shumë persona. Bashkëpunimi i tyre është qartazi për kryerjen e një, por edhe më shumë veprave penale, në referim të ngjarjeve të datës 03.12.2015 dhe 09.02.2017.

Në rastin konkret, konstatohet se bashkëpunimi në kryerjen e veprave penale ka pasur qëllim për përfitime materiale, të shoqëruar me një organizim dhe strukturë të caktuar. Këtu, duhet mbajtur parasysh shuma e të hollave të vjedhura në të dy ngjarjet, por nga ana tjetër, dëshmitë e shtetasve, shoqëruar me provat materiale të sekuestruara tregojnë për një organizim të grupit me role të përcaktuara qartë. Në episodin e parë, shtetasit Fation Xhyliu dhe Ditjon Memlika, por edhe Ditjon Memlika në episodin e dytë, kanë përcjellë informacionin tek shtetasi Neim Avdulaj, duke qenë në këtë mënyrë në rolin e ndihmësve. Ky i fundit ka shërbyer si ndërlidhës në ngjarjen e parë, mes shtetasve Fation Xhyliu dhe Ditjon Memlika nga njëra anë dhe ekzekutorëve nga ana tjetër.

Ndërsa në ngjarjen e datës 09.02.2017, shtetasi Neim Avdulaj dhe Ditjon Memlika dyshohet se kanë siguruar dhe më pas kanë përcjellë informacionin e nevojshëm tek ekzekutorët e veprës penale. Veçanërisht shtetasi Neim Avdulaj dyshohet se në të dyja episodet ka bërë bashkërendimin e punës, para dhe pas kryerjes së veprës penale, gjë që e kthen këtë shtetas në rolin e organizatorit. Gjithashtu, shtetasi i ndaluar Ernest Kupa dyshohet të ketë vepruar në rolin e ekzekutorit. Në këtë rol dyshohet të ketë edhe persona të tjerë. Pra, i gjithë grupi paraqitet me një nivel të lartë organizimi, duke pasur mes anëtarëve të tij një ndarje të qartë detyrash dhe rolesh, atë të organizatorit, ekzekutorit dhe ndihmësit.

(GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb