Në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik, ku palët nuk gjetur akoma dakordësi, përfaqësuesi i opozitës së bashkuar, Oerd Bylykbashi, tha se opozita vijon të kërkojë me ngulë që palët t’i drejtohen OSBE/ODIHR për pikat ku nuk gjendet konsensusi.

Bylykbashi theksoi se PS vijon të mos pranojë, pasi sipas tij, ka frikë nga përgjigja e ODIHR, edhe pse ky i fundit është pranuar nga të gjithë si arbitër i procesit zgjedhor në vendin tonë.

“Opozita nguli këmbë në mbledhje që e vetmja pikë e agjendës të jetë nënshkrimi i përbashkët për kërkesën drejtuar OSBE/ODIHR për ndryshimin e rregullave themelore. Gjiknuri ngulte këmbë që të mbajë të pandryshuar qëndrimin e tij për të ndryshuar rregullat, ndërkohë që loja ka filluar. Opozita kërkoi me insistim që t’i drejtohemi ODIHR. PS përsëri sot nënvizoi frikën e saj nga përgjigja që do të vijë nga ai që kemi pranuar të jetë arbitër të gjithë. Nëse PS nuk ndryshon qëndrim, bllokon funksionimin e Këshillit Politik, e për rrjedhojë edhe Reformën Zgjedhore, që është një nga kushtet për integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Bylykbashi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb