Në Greqi po zhvillohet gjyqi për përdhunimin dhe vrasjen e studentes greke Eleni Topaludi në Rodos. Të akuzuar janë dy të rinj të moshës 21 dhe 23 vjeçe. I pari me prejardhje shqiptare.
Dje, prokurorja e çështjes, Aristotelia Dhuga, gjatë fjalës të saj ka tronditur opinion publik për kthjellësinë, mendjemprehtësinë, ndieshmërinë dhe profesionalizmin e saj. Duke vënë pikën mbi çdo të çështjes, ka folur me zë të pastër edhe të lartë, duke mbrojtur kujtimin e vajzës dhe duke ngritur moralin e prindërve të saj.
Gjatë një fjalimi që të lë pa frymë, të trondit, të mbush sytë me lot, ajo arrin të zbardhë gjithë pjesët e errëta të ngjarjes. Opinioni grek po e duartroket zërin, guximin, fuqinë profesionale dhe po ndihet i përfaqësuar prej zërit të organit të akuzës jo për të vendosur hakmarrje por për drejtësi.
Shqipëria është një vend, ku të drejtat e grave shtypen gjithandej. Ku dhuna në familje nuk është ndonjë e fshehtë shoqërore apo ndonjë tabu! Gjithçka shpesh herë kryhet hapur, pa mëshirë dhe pa doreza. Dëshmitarë jemi në banesë, në lagje, në qytet, në fshat.
Numri i grave të vrara, të therura, të varura, të flakërira si leckë prej dritareve, është jashtëzakonisht i lartë. Shoqëria civile reagon rëndom në mënyrë të vakët. Gazetarët përcjellin lajmin për të mbushur kronikat. Familjarët e viktimave mbeten të pambrojtur për shkak të paragjykimeve rrethanore dhe shoqërore që ndjekin shpesh-herë ngjarje të tilla.
Gjykatësit duargjatë harrojnë ndieshmërinë, përgjegjësinë dhe betimin e tyre dhe vendosin shpesh, dënime të lehta që i nxjerrin vrasësit të lirë, disa vite më vonë.
Dhe nuk kemi dëgjuar kurrë, asnjëherë një fjalim të një prokurori që do të ngrejë emrin e viktimës dhe do të godasë pamëshirshëm jo vetëm dhunuesin por vetë kultin e dhunës dhe të vrasjes, aq të përhapur dhe të përkrahur në shoqërinë tonë.
Fjalimi i djeshëm i zonjës Dhuga në Greqi gjatë krahasimit të vetëvetijshëm që bën me gjendjen në Shqipëri, ta shton trishtimin dhe nis të humbasësh shpresën.
Asnjë vajzë mos pastë kurrë fatin e Elenit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb