Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të martën se Shtetet e Bashkuara mbështesin zbatimin e të gjitha zotimeve që dalin nga bisedimet Kosovë – Serbi, por nuk mbështesin asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas një debati me dyer të mbyllura për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që u mbajt në mjediset e ambasadës amerikane.

Në takim morën pjesë rreth 40 përfaqësues institucionesh, partish politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Dëgjuam nga dora e parë pikëpamjet e pjesëmarrësve për zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe si mundet kjo të përshtatet në mënyrë që sigurojë të ardhmen e Kosovës si një vend sovran i pavarur, shumë etnik dhe demokratik. Kjo perspektivë është e rëndësishme për përparimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe euroatlantik”, tha ambasadori Hovenier, duke nënvizuar se diskutimi i përqendrua në tre gjëra.

“Së pari si mund të funksionojë Asociacioni i komunave serbe në praktikë dhe pjesëmarrësit në këtë takim kanë ngritur një sërë temash duke përfshirë pikëpamjet mbi përgjegjësitë e mundshme dhe kufizimet e mundshme të një Asociacioni. E dyta, si do të mund të funksiononte Asociacioni sipas kuadrit ligjor të Kosovës dhe sërish kemi dëgjuar shumëllojshmëri të perspektivave përfshirë edhe për marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. E treta, lidhur me atë se si Asociacioni do të mund të ndihmonte zhvillim ekonomik dhe ofrimin efektiv të shërbimeve qeveritare për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera pakicë”, tha ai.

Zëri i Amerikës mëson se dallimet ishin të thella ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë të cilët kanë ngulur këmbë se marrëveshja e Brukselit për Asociacionin ka peshë më të madhe sesa interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, gjë që është kundërshtuar nga njohës të fushës në Kosovë.

Një nga pjesëmarrësit e takimit, që nuk deshi të identifikohej i tha Zërit të Amerikës se “përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk janë shprehur kategorikisht kundër Asociacionit, por kanë kërkuar garanci mbi përfitimet që mund të ketë Kosova nga themelimi i tij. Para së gjithash është kërkuar siguri që nëse Asociacioni themelohet, nuk do të mund të shfrytëzohet nga Beogradi zyrtar siç shfrytëzohen mekanizma të tjerë ekzistues në Kosovë, gjë që është garantuar nga përfaqësuesit ndërkombëtar në takim”.

Miodrag Miliçeviç nga Organizata joqeveritare ‘Aktiv’ në Mitrovicën e Veriut, tha se “elementi më i rëndësishëm ishte që ne duhet të krijojmë një perceptim të përbashkët se Asociacioni është diçka që duhet të negociohet dhe duhet të zbatohet, dhe se do të zbatohet duke u bazuar në parimet e vendosura vite më parë nga delegacionet përkatëse”.

Ai tha se çelësi për këtë proces është në duart e politikbërësve kryesorë të të dy qeverive.

“Ata më së pari duhet të ndryshojnë ligjërimin e tyre publik, duhet të ndryshojnë perceptimin mbi atë se si do të duket Asociacioni. Kemi dëgjuar qëndrime të ndryshme më parë dhe edhe sot, se Asociacioni do ta dëmtojë pavarësinë e Kosovës, Asociacioni do të jetë një lloj ‘Republika Serpska’ apo një entitet njëetnik, gjëra që i dëgjuam edhe sot nga disa pjesëmarrës. Por kur bëhet fjalë për marrëveshjet e përbashkëta dhe mirëkuptimin kjo do të mundësohej vetëm me dialog publik dhe atë shumë të ngjeshur”, tha ai.

Takimi së martës u mbajt në një periudhë të shtimit të trysnisë për themelimin e Asociacionit dhe një ditë më parë diplomatë të lartë amerikanë thanë se koha për krijimin e tij është tani. Të hënën fondacioni gjerman Friedrich-Ebert, publikoi një projekt statut se si duhet të funksionojë ai.

Prishtina heziton të themelojë Asociacionin, duke theksuar se ai mund të çojë në krijimin e një shteti brenda shtetit, ngjashëm me Republika Sërpskan në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës, që është në kundërshtim me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese, ose që do të kërcënojë sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çdo entiteti që i ngjan Republikës Sërpskas në Bosnje Hercegovinë. Presim që Kosova të përmbushë detyrimet e saj. Ne kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ofrojë pikëpamjen e saj për Asociacionin që besohet që e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumë etnik dhe demokratik dhe ofron të drejta për pakicat në linjë me me marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës. Kjo është vendimtare, e rëndësishme dhe urgjente”, tha ambasadori amerikan.

Trysnia për Asociacioni është rritur ndërsa janë shtuar përpjekjet për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb