PRISHTINE- Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, pasi nuk e konsideron çështje urgjente. Opozita dhe analistët thonë se “Zajednicën” e ka nxjerrë nga agjenda Gjykata Kushtetuese

Hartimi i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe nuk është prioritet për Qeverinë e Kosovës, pavarësisht kërkesave që vijnë nga Beogradi, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Pushtetarët kohë më parë kanë paralajmëruar formimin e një komisioni për hartimin e statutit të Asociacionit, megjithatë ky komision ende nuk është formuar, e madje sipas përfaqësuesve të Qeverisë, kjo çështje nuk do të bëhet shpejt sepse nuk është urgjente. Ata thonë se e rëndësishme është që të sigurohet implementimi i plotë i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e subjekteve opozitare thonë se Qeveria nuk duhet të vazhdojë me hartimin e statutit të “Zajednicës” siç e quajnë ata Asociacionin, shkruan ‘telegrafi’.

Sipas opozitarëve, kjo çështje duhet të bjerë nga agjenda, pas vendimit që ka nxjerrë Gjykata Kushtetuese, ndërsa sa i përket statutit ata thonë se është gati “ai i Asociacionit të Komunave Kosovare”.

Besnik Berisha, këshilltar i kryeministrit, Isa Mustafa, ka thënë për “Zërin” se nuk ka ndonjë lëvizje në drejtim të hartimit të statutit të Asociacionit, pasi, sipas tij, aktualisht kjo çështje nuk është urgjente.
(el.sp/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: