TIRANE– Kur duket se kampet politike, maxhorancë-opozita kanë gjetur ‘gjuhën’ për vettingun në politikë, nismë e iniciuar nga PD-ja, një zë skeptik vjen një demokrat. Bëhet fjalë për ish-deputetin e PD-së Astrit Patozi.

Ky i fundit shprehu bindjen se vettingu në politikë nuk do të bëhet, ndërsa shtoi se palët po mundohen t’ja lënë dopio gjashtën në dorën njëra-tjetrës. Po ashtu Patozi, i ftuar në emisionin “Top Talk” në Top channel theksoi se Basha përdoret nga kreu i qeverisë, Edi Rama.

“Nuk më pengon asgjë të them se, në rast se Basha e ka seriozisht sfidën apo projektin e vettingut, unë do ta mbështes në të gjitha rastet. Por dyshoj te ky seriozitet, sepse kam parë zhvillimet pas lançimit të idesë, që më lënë një shije të keqe. Mënyra sesi janë sjellë palët që nga dita e anonçimit nga Basha, është e tillë që të krijon idenë e një teatri, ku të dyja palët nuk duan që të bëhet, por që po përpiqen me shumë sforco që t’ia lënë dopio gjashtën në dorë palës tjetër. Është një ngjarje e sigurt. Është një truk i të dyja palëve, por në këtë rast opozita ka më shumë përgjegjësi për dy arsye: së pari, sepse ishte ajo që e lançoi dhe mund ta evitonte nëse nuk e kishte seriozisht; dhe së dyti, sepse opozita është ajo që duhet ta shkundë pushtetin që të shkojë në moralin e saj”, -tha Patozi.

Pak ditë më parë kryeopozitari Lulzim Basha shpalosi nisëm e PD për vettingun në politikë, projektligj që u dorëzua edhe në Kuvend. Kjo iniciativë gjeti mbështetjen edhe të kryeministrit Edi Rama, i cili ftoi Bashën që të uleshin në tryezë për bashkëpunim. Projektligji në fjalë kërkon që përveç gjyqtarëve dhe prokurorëve, pjesë e ‘sitës’ së vettingut të bëhen edhe politikanë, zyrtarë institucionesh, duke mos përjashtuar as kryeministrin.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb