Le t’i quajmë shpëtimtarë të atdheve.
Po, sepse është meritë e alienëve, që lufta e Ftohtë mes SHBA dhe Rusisë nuk u transformua në një luftë bërthamore.

Fjalë të Edgar Mitchellit, ish piloti i misionit historik Apollo 14. Teza e njeriut të gjashtë që ka vënë këmbë në Hënë mund të tingëllojë shumë e çuditshme, madje si e shkëputur nga filmat fantastiko-shkencorë, si “E.T.”. E megjithatë, Mitchell ka deklaruar për ‘The Mirror’ se “jashtëtokësorët donin të dinin se cilat ishin potencialet tona ushtarake dhe jam i sigurtë që po përpiqeshin që të ndalnin luftën dhe të na ndihmonin që të jetonim në paqe”. Astronauti rrëfen se disa ushtarakë kanë parë, në atë kohë, objekte të çuditshëm që fluturonin mbi bazat e raketave amerikane si dhe bazën “Rëra e Bardhë” në Nju Meksiko, aty ku në 1945-ën u krye eksperimenti i parë bërthamor.

Mitchell është rritur pikërisht në Nju Meksiko, pranë Rosuellit, vendi ku në vitin 1947 ra ai që për shumëkënd mund të ishte një UFO, dhe thotë se ka marrë informacione shumë interesante nga Air Force. “Më kanë thënë se kishin parë shpesh herë UFO në qiell dhe që shpesh herë, këta mjete i çaktivizonin raketat e tyre. Të tjerë oficerë të bazave në Paqësor më kanë rrëfyer se raketat janë goditur shumë herë me plumba të dalë nga objektet aliene”.

Pra, për Mitchellin jashtëtokësorët ekzistojnë dhe duhet t’i falënderojmë për faktin që na kanë kursyer një konflikt shkatërrimtar. A do të kthehen sërish këtej nga anët tona, për të ndalur tragjeditë dhe pushtimet që po ndodhin?

(d.b/Bota.al/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: