Për shtetet në Evropë dhe në mbarë botën, të cilat gjithnjë e më shumë krijojnë raporte të ngushta ekonomike dhe politike me Kinën, ministri i Jashtëm tajvanez, Joseph Wu, ka një porosi: “Duhet të mendoni dy herë”.

“Politika juaj e jashtme mund të bëhet e njëanshme nëse mendoni se jeni të varur nga Kina”, tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Pastaj veprimet, sjelljet, politikat tuaja duhet të jenë të kujdesshme, sepse nuk do të donit t’i rrezikonit mundësitë biznesore”, shtoi ai.

Ministri tajvanez bëri një turne evropian si pjesë e fushatës së këtij rajoni që të ofrohet si një alternativë e vogël krahas politikës autoritare të Kinës.
Tajvani u nda nga Kina pas një lufte civile në vitin 1949. Tajvani është një rajon demokratik dhe thotë se është i pavarur, por Kina e sheh si një provincë të shkëputur.

Gjatë intervistës, Wu foli për rrezikun e një lufte të mundshme mes Tajvanit dhe Kinës, angazhimeve të SHBA-së ndaj ishullit, shtrirjen e tij diplomatike në Evropë dhe mësimet që vendi i tij mund t’u ofrojë kombeve të tjera që bashkëpunojnë me Pekinin.

Anembanë Evropës, vende si Franca dhe Gjermania, gjatë viteve të fundit kanë rritur kritikat ndaj Kinës, por megjithatë, ende kanë kujdes që të mos i rrezikojnë lidhjet e tyre ekonomike me Pekinin dhe qasjen në tregjet kineze.

Më në lindje të Evropës, vende si Hungaria, Mali i Zi dhe Serbia kanë thithur investime kineze dhe kanë nënshkruar projekte të mëdha në kuadër të projektit global infrastrukturor të Kinës “Brezi dhe Rruga” ndaj të cilit ka pasur kritika për korrupsion dhe dëme mjedisore.

Në Ukrainë, për shembull, ka pasur kritika se Pekini po përdor fuqinë financiare për të ushtruar ndikim politik, në mënyrë që ky vend t’i heshtë kritikat për shkelje të të drejtave të njeriut në rajonin Ksinjiang të Kinës.

“Kina përdor praktika korruptive. Ata fusin para në xhepin e politikanëve të korruptuar dhe premtojnë shumë. Por, në të vërtetë ajo që ofrojnë ata mund të jetë shumë e paktë”, tha ministri tajvanez.

“Ndonjëherë projektet ,në të cilat ata angazhohen, janë artificiale. Pra, nëse vendet i bashkojnë të gjitha këto atëherë mund të marrin një mësim të mirë në rast se dëshirojnë të bëjnë biznes serioz me Kinën”, shtoi ai.

Në të gjithë botën, aktualisht, vetëm 15 vende kanë marrëdhënie diplomatike zyrtare me Tajvanin që numëron afro 24 milionë banorë.

Dhe, përveç Vatikanit, asnjë prej tyre nuk është në Evropë. Shumë qeveri në botë nuk i presin ministrat tajvanezë për shkak të presionit të Kinës.

Pekini i ka qortuar vendet që e pritën ministrin Wu. Delegacioni tij vizitoi Çekinë, Brukselin, Poloninë dhe Lituaninë.

Ngritja e rolit të Kinës në botë ka pasur pasoja për Tajvanin.

Shumë vende dhe organizata ndërkombëtare kanë hequr dorë nga njohja e Tajvanit, duke e lënë atë jashtë organizatave si Kombet e Bashkuara(OKB) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH).

“Sa herë që Tajvani krijon një miqësi të re ose bën diçka në skenën ndërkombëtare, kinezët mendojnë se po humbin”, tha ministri tajvanez.

“Pra, në këtë kuptim, është një konkurrencë shumë e drejtpërdrejtë midis Tajvanit dhe Kinës në skenën ndërkombëtare”, shtoi ai.

Ministri tajvanez theksoi se veprimet e Kinës në vitet e fundit, siç janë supozimet për kampe të internimit ndaj pakicës ujgure dhe myslimane në Ksinjiang dhe shqetësimet ndërkombëtare për praktikat tregtare kineze, i kanë hapur një derë Tajvanit për të rimarrë statusin e humbur.

Para se të nisej për në Evropë ai tha se udhëtimi i tij shënon një etapë të re në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

“Kina dëshiron që Tajvani të jetë i vetmuar në komunitetin ndërkombëtar, dhe unë, si ministër i Jashtëm, kam përgjegjësi që të sigurohem se kemi miq”, tha ai.

Tensionet me Kinën dhe angazhimi i SHBA-së
Pekini ka thënë se do të përdorë edhe forcën nëse është e nevojshme që ta rimarrë Tajvanin. Pekini ka rritur presionin ushtarak, diplomatik dhe ekonomik ndaj Tajvanit. Gjatë periudhës së fundit qindra aeroplanë ushtarakë kinezë kanë hyrë në hapësirën ajrore të Tajvanit.

Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit, Chiu Kuo-cheng, paralajmëroi kohët e fundit se Kina mund të jetë e aftë të kryejë një pushtim “në shkallë të plotë” të Tajvanit deri në vitin 2025.

Shtetet e Bashkuara kanë raporte të ngushta me Tajvanin.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha më 21 tetor se Uashingtoni angazhohet për t’i dalë në mbrojtje Tajvanit nëse sulmohet nga Kina.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, tha se “nuk ka asnjë hapësirë” për kompromis mbi Tajvanin.

Më 1979 Shtetet e Bashkuara i kishin ndërprerë raportet zyrtare diplomatike me Tajvanin. Uashingtoni nuk e kundërshton hapur pretendimin e Kinës ndaj Tajvanit, por SHBA-ja ka një ligj të quajtur Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin që obligon administratën të sigurojë se Tajvani mund të mbrohet dhe të trajtojë të gjitha kërcënimet ndaj tij si çështje të “shqetësimit të madh”.

Uashingtoni vazhdon t’i shesë armë Tajvanit dhe presidenti i tij, Tsai Ing-wen, konfirmoi për CNN-in më 28 tetor se trupat amerikane kanë trajnuar ushtrinë tajvaneze.

“Lufta nuk është në interesin e askujt. Ndonjëherë ne jemi të shqetësuar se ndoshta udhëheqësit e Pekinit nuk janë të arsyeshëm, veçanërisht kur kanë vështirësi të brendshme”, tha ministri Wu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb