Kryeministri Edi Rama priti këtë mbrëmje dozat e vaksinës anti-Covid të kompanisë Pfizer, që mbërritën në aeroportin e Rinasit.

I pyetur nga gazetarët nëse do të ketë ankesa ndaj kompanisë Pfizer për vonesat e vaksinave apo për kushtin që s’mund të dërgohen doza në Kosovë, kryeministri Rama u shpreh se Pfizer është sjellë si mos më mirë me vendin tonë.

Mes të tjerash, Rama sulmoi dhe opozitën, teksa tha se këta të fundit luajnë kumar në negociata, ndërsa qeveria e tij luan vetëm shah.

“Vaksina te vendet e treta është një kusht për të gjithë, jo vetëm për ne ndaj Kosovës. Kjo është arsyeja edhe që ai vendi, që na solli dozat e para, nuk do që t’i dalë emri. Në këtë moment nuk duam të ndërmarrim asnjë hap, prandaj mirëpresim menjëherë mjekët e parë nga Kosova që të vijnë dhe të vaksinohen këtu te ne. As nuk e mendojmë që t’i shkojmë Pfizer mbrapa nëpër gjykata, sepse për hir të së vërtetës Pfizer me Shqipërinë është sjellë si s’ka më mirë. Pfizer nuk e ka shkelur kontratën me ne. Kjo vlen edhe Pfizer mund të vonohet pak, por edhe kur mund të shpejtojë. Sepse disa cafira, që ishin pjesë e një turpi të madh me ndikimin dhe komentimin e disa faqeve të shkëputura të kontratës, të marra vjedhurazi nga një draft, vrapuan të flasin me terma ekstrem për të helmuar sa më shumë popullin dhe për t’i thënë se cdo gjë këtu është vetëm e zezë, duke keqinterpretuar kontratën dhe duke thënë se vaksinat po vikan për fushatë, për propagandë, për shoë, sepse në fakt pjesa e madhe e dozave nuk do të vijë, deri në vjeshtë dhe kështu janë përjashtuar nga vaksinimi 2 milionë shqiptarë, janë dënuar me vdekje.

E vërteta është krejt ndryshe. Së pari, vaksinat nuk mund të bëhen as për fushatë, as për propagandë, dhe aq më pak për t’i hedhur hi syve njerëzve në prag të zgjedhjeve, sepse shkurti erdhi, vjen marsi, dhe njerëzit janë këtu, do ta shohin si do vazhdojë procesi. Kjo nuk ka lidhje me fushatën, as me zgjedhjet e propagandën. Kjo ka lidhje me faktin, që duan s’duan ata që s’duan, Shqipëria ka një qeveri që arrin të bëjë gjëra, që të tjerët rreth nesh nuk arritën t’i bëjnë. Dhe Pfizer në këtë pikë meriton vetëm mirënjohje dhe respekt nga ne. Ne kemi raporte fantastike me kompaninë, megjithatë ne po negociojmë edhe me kompani të tjera. Dua të ndalem edhe te pagesat. Ne mund të merrnim edhe më shumë nga Pfizer, por iu kam thënë që ndryshimi themelor mes nesh dhe atyre që janë mes nesh është se ata luajnë ose ‘ha këtë, të të ha atë’, ose luajnë kumar, ne luajmë shah në negociata, me këdo qoftë, dhe me mënyrën se si realizojmë planet tona në të gjitha drejtimet. Prandaj ne fitojmë. Kurse ata thonë ‘të fitojë vendi, që të kapim dhe ne ndonjë gjë’”, u shpreh kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb