Ish-kryeministri Sali Berisha iu përgjigj sërish sot zërave që i kërkojnë opozitës të tregojnë filmimet e manipulimeve të 14 majit, është shërbëtor i mafies.

Deklaratën ai e bëri gjatë një mbledhje në selinë e PD me 61 kandidatët që garuan në 14 maj.

“Kush i thotë opozitës që “nuk i filmuat”, ata janë bashkë me hajdutin. Të pretendosh se ku u blenë zgjedhjet, tregon se je një skllav i mjerë i mafies më të rrezikshme në Europë, do të thotë se nuk sheh 680 mijë zarfe dhe kërkon të krijosh imunitet se je gazetar. Si gazetar ti duhet të mbrosh interesin publik dhe jo të mbrosh një krim monstruoz të papare. Opozita as nuk filmon, as nuk përgjon. Nuk kemi programe të survejimit të qytetarëve. PD duhet t’i rikthehet protestës. E vështirë, sakrificë, por rrugë tjetër, ju garantoj se vetëm veten e gënjejmë. Ne nuk jemi ata që gënjejmë vetem, por besojmë të vërtetat. Nuk mundet opozita të ndalojë qeverinë të shpërndajë 680 mijë zarfa. Një kriminel si ky, një krim-ministër që shpall Kodin Elektoral kinezëri, sikur të ishte udhëheqësi i Koresë së Veriut, tregon qartë se nuk njeh asnjë ligj, asnjë standard dhe se me të, zgjedhje nuk mund të ketë. Kështu që demokratët dhe opozitarët duhet të marrin vendime individuale për të dalë së bashku në një betejë të hapur. Asgjë përveçse për të votuar të lirë.”, tha Berisha.

Sipas tij “Kjo është java e fundit në të cilën ne kërkojmë nga ju kandidatë të bëni përpjekjen e madhe të fundit për të mbledhur çdo fakt që mund të ketë mbetur pa u mbledhur në mënyrë që ky raport të jetë sa më i plotë dhe ky raport do t’u paraqitet shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Pas përfundimit të raportit ne do të nisim analizën. Është në detyrimin tonë një analizë, më seriozja që kemi bërë ndonjëherë për zhvillimet, për problematikat, për defektet e të gjithë makinerisë sonë elektorale nga kreu te anëtari më i thjeshtë. Analiza e zgjedhjeve që do të jetë faza tjetër pas denoncimit, do të bëhet me seriozitetin më të madh”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: