Në studion e emisionit “Real Story”,“News 24”, po diskutohet rreth lëvizjes së ish-kryeministrit Sali Berisha, të pagëzuar prej tij si “Foltorja”.

Për të folur rreth kësaj çështjeje, ndër të ftuarit në studio ishin Ervin Kulluri dhe Ervis Iljazaj. Kulluri tha se mbështetës të Berishës në Amerikë, kanë kërkuar që të largohet nga drejtimi i PD Lulzim Basha. Nga krahu tjetër, Iljazaj, tha se SHBA e dha nëpërmjet vendimit të saj, se kush mes të dyve, pra Berishës dhe Bashës është më pro amerikan.

Gjithashtu shtoi, se lëvizja e Berishës më së shumti është e bazuar në interesa personale, se sa në parime demokratike. Ai tha ndër të tjera, se nga ky aksion politik përfiton më së shumti kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste.

Ervin Kulluri: Ka më shumë se dy rrugë. Ajo që unë kam insistuar këto kohë është që nëse do të kemi zgjedhje të lirë në parti dhe zgjedhje të lirë të vullnetit, kemi një shans për të dalë matanë. Nga pikëpamja demokratike, partia nuk mund të degradojë. Të quash pro amerikan një person që s’ka dëgjuar kurrë SHBA-në. Karta pro amerikane e Bashës është kartë e djegur. Miqtë e Berishës dhe miqtë që ai ka punuar dhe punojnë për SHBA-në i kanë dërguar indikacione të qarta për largimin e Bashës nga PD dhe Berisha nuk i ka dëgjuar.

Ervis Iljazaj: Se kush është pro amerikan dhe kundra këtë t’ia lëmë SHBA dhe ambasadës. Tani është e qartë kush është pro amerikan dhe jo brenda PD. Kemi një person që është ‘non grata’ nga SHBA dhe një personi tjetër që ambasadorja shkon dhe e takon. Për mua PD është në krizë prej Berishës. Do të isha dakord me të gjitha grupimet që do të bënin një kritikë të fortë edhe Bashës dhe ta mundnin në zgjedhje. Mua më duket se ata që nuk e mundën dot Bashën janë bashkuar me Berishën për të larguar atë. Kjo është krizë për mua. Unë gjykoj që mbështetja që i bëhet Berishës nga grupimet e tjera s’më duket betejë parimore. Pse? E para Berisha nuk është përjashtuar nga PD për mendim ndryshe. Se për çfarë është pezulluar Berisha nga grupi parlamentar asnjë nuk e thotë.

Është presioni i fortë i SHBA për ta bërë këtë akt. Këtu ndërkohë flitet se ai është përjashtuar për mendim ndryshe, por në fakt s’është ashtu. Ky njeri që po rrezikon postin e tij me këtë lëvizje, një çështje më të madhe se demokracia e PD e ka pasur. Pra në këtë kuptim kjo është një lëvizje personale e Berishës dhe për interes personal, kjo s’është parimore. Lëvizjen e Sali Berishës mund t’i krijojë dëm PD, por e shoh pa të ardhme politike. E para është një lëvizje e cila nuk lindi për parimet që thashë, por për interesa personale. Ajo drejtohet nga një person me një moshë biologjike të caktuar. Fatet e PD po lidhen me fatet personale të një individi dhe pas 30 vitesh. Kjo është një lëvizje e cila do të jetë dhe është në konflikt me SHBA.

Ata mund të marrin PD, mund ta rrëzojnë dhe Bashën, por çfarë të ardhme do të ketë? Lulzim Bashës mund t’i kërkohej dorëheqjen pas zgjedhjeve të prillit, por jo për këtë. Ai ka rikthyer partneritetin e PD me SHBA-në. Deri te ky vendim, SHBA-të në Shqipëri kishin një partner vetëm Edi Ramën, por tani kanë 2. Pse amerikanët nuk krijonin një partneritet me PD, u duk nga vendimi i DASH. Edi Rama ka abuzuar. Për mua mbështetësi më i madhi lëvizjes Berisha është Edi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb