Një grabitje e re në shtëpinë e një futbollisti ka ndodhur këtë herë në Valencia. Personi i prekur ishte Justin Kluivert, i cili në atë moment nuk ishte në shtëpi, por më shumë se 300 kilometra larg, në Mallorca, i përqendruar me ekipin e tij.

Në mes të orëve të para të së mërkurës, një grup hajdutësh, në vetëm 5 minuta, arritën të grabisin shtëpinë e tij që ndodhet në zonën e Bétera-s në Valencia. Ata kanë marrë bizhuteri, veshje dhe para me vlerë mbi 160 mijë euro.

Brenda ishte gruaja e tij, të cilën ata e kërcënuan dhe madje e rrahën. Sipas rrëfimit të saj, ata folën me të në anglisht dhe i kërkuan që t’u tregonte se ku ishin gjërat me vlerë.

“Ngjarja ndodhi shumë shpejt. Tre personat me kapuç në kokë hynë në shtëpi nga kopshti dhe pasi morën sendet me vlerë, u larguan’, tha gruaja, sipas disa burimeve.

Ai nuk është futbollisti i parë të cilit i ka ndodhur kjo, pasi edhe të tjerë si Messi ishin viktimë e një sulmi në shtëpinë e tij.

Carlos Quílez, një gazetar spanjoll, shpjegoi se banda që ka kryer këtë grabitje dhe shumë të tjera kundër futbollistëve është një bandë shqiptare, e cila është shumë mirë e organizuar.

“Janë shumë profesionistë, sepse analizojnë objektivin dhe njohin oraret e futbollistëve. “Ata e parandalojnë dhe e ekzekutojnë vjedhjen me saktësi të madhe”, tha ai.

Sa i përket sigurisë, tha Quílez, disa viktima të këtyre grabitjeve janë të rinj që janë më të vetëdijshëm për profesionin sesa për sigurinë. “Shtëpitë ku kanë ndodhur sulmet u mungojnë sistemet e sigurisë,” tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb