TIRANE- Bukuroshja me flamurin shqiptar është Atalanta Kërçyku, e njohur si tifoze e zjarrtë e skuadrës së Elbasanit. Ajo ka “provokuar” tifozët shqiptarë, duke dhënë një mesazh pozitiv. E kurorëzuar si “Miss Ballkani”, bukuroshja ka postuar një foto me njërën nga modelet serbe, të cilat bashkojnë flamurin shqiptar me atë serb. Fotoja bëri menjëherë xhiron e rrjeteve sociale, ku të shumtë kanë qenë ata që e kanë sulmuar për këtë foto. Megjithatë, modelja shprehet se ka marrëdhënie shumë të mira me “Miss Serbinë”, si dhe me të gjithë shtetasit serbë që ajo njeh. Bukuroshja pranon të flasë edhe për impresionet që ndeshja i la, duke u shprehur se mund të kishim bërë edhe më shumë se aq në “Elbasan Arena”
Si e pa Atalanta ndeshjen Shqipëri–Serbi?
Pata shumë emocion në fakt. Ndeshja ishte shumë e fortë si dhe tifozeria gjithashtu. Jam e lumtur që gjithçka shkoi mirë dhe nuk pati incidente. Unë edhe më herët nëpërmjet një statusi, që u sulmua shumë kisha thënë: “Shqipëri, Serbi,… sepse një zemër e mirë nuk njeh kufij, paqe, paqe në Ballkan”, por mesa duket jo nga të gjithë u kuptua ky mesazh.
Jeni sulmuar ditët e fundit për foton me miss-in serbe, si u ndjetë?
Të them të drejtën, fillimisht u shokova. Megjithatë, pati shumë nga ata që më mbështetën. Miqtë e mi kosovarë më kontaktuan dhe më thanë “mos u shqetëso, ne të mbështesin dhe e kuptojnë atë çfarë po bën”. Të gjithë shtetet kanë pasur probleme me njëri-tjetrin. Ne me Turqinë kemi qenë me shekuj në luftë, por sot i shtrijmë dorën, jemi miq të mirë. Përse duhet të jetë ndryshe me Serbinë? Mendoj se futbolli, apo çdo gjë tjetër duhet të bëjë një kthesë në histori, këtë kam dashur të bëja dhe unë.
Ke udhëtuar shpesh në Serbi, si të kanë pritur, si janë sjellë serbët me ty?
Janë sjellë shumë mirë. Serbët më kanë respektuar gjithnjë, edhe unë ata. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me ta, nuk kam pasur kurrë probleme. Isha e bindur që edhe kur të vinte kombëtarja serbe këtu, s’do të kishim probleme.
Kush janë më seksi, djemtë e kombëtares shqiptare, apo ata serbë?
Patjetër që djemtë e kombëtare sonë janë më të mirë. Kjo nuk ka diskutim.
Për kë bëri tifo mbrëmjen e 8 tetorit Atalanta?
Unë isha dhe jam kuq e zi. Mendoj se djemtë tanë duhet të kishin dhënë më shumë në ndeshje. Sikur të luanim pak më mirë, sigurisht që do ta fitonim ndeshjen. Megjithatë, rëndësi ka që ne treguam se jemi mikpritës në shtëpinë tonë.
(ma.ar/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: