*Viktima, person me precedentë penalë
VLORË-Qyteti i bregdetar i Vlorës është tronditur orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, nga një atentat me armë zjarri. Ngjarja e rëndë u regjistrua në rrugën “Transballkanike” rreth orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa krismat i kanë dëgjuar edhe banorët e Skelës.

Me breshëri kallashnikovi është ekzekutuar në mjetin e tij, 52-vjeçari Hyqmet Nexhipi, pronari i anijes së peshkimit, “Drita” për arsye ende të panjohura.

Kanë qenë banorët e zonës, ata që kanë gjetur trupin e pajetë të 52-vjeçarit brenda mjetit të tij tip “Honda”, pranë një karburanti.

Gazetari Enrik Mehmeti bën me dije se skena e krimit duket si e planifikuar, pasi dyshohet se autorët pasi janë siguruar që kanë vrarë pronarin e anijes, kanë djegur 2 km më tutje në lagjen “24 Maji” mjetin me të cilin udhëtonin, një “Benz” me targa DR 4863B. Mjeti në fjalë dyshohet se ka qenë i vjedhur.

Në momentin e atentatit, siç raportoi korrespondenti ynë, autori ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij, ndërsa është qëlluar nga afër në anën e shoferit.

Policia e mbërritur në vendngjarje pas sinjalizimeve të banorëve ka gjetur dy gëzhoja automatiku model 56, ndërsa po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Pistat e hetimit janë disa, ndërsa nuk përjashtohet as ndonjë konflikt i mundshëm që mund të ketë pasur viktima. Trupi i këtij të fundit është dërguar për ekspertizë në morgun e qytetit.

JA KUSH ISHTE VIKTIMA, I DËNUAR NË ITALI
Zbardhen detaje në lidhje me ngjarjen ku mbeti i vrarë 52-vjeccari në Vlorë. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se viktima Hiqmet Nexhipi ishte person me precedent penal, ndërsa ishte dënuar vite më parë në Itali.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: