Atentati i ndodhur më 8 janar në Fier, ku mbeti i vrarë 44- vjeçari Denis Kasa si dhe u plagosën rëndë Klemend Kastrati dhe Elton Margariti ka marrë shkas nga prishja e pazareve të drogës në Itali dhe në Belgjikë. Të paktën kështu u shprehën dje burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit. Sipas këtyre burimeve, atentati është organizuar nga Ermal Binjaku, i cili dy ditë më parë u shpall në kërkim për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Sipas hetuesve të çështjes, shënjestra e atentatit ka qenë 31-vjeçari Kastrati, i cili ka pasur konflikte të mëparshme (jashtë vendit) me Binjakun për prishje pazaresh në trafikimin e lëndëve narkotike. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur 40 ditë më parë në autostradën Fier- Lushnje, në afërsi të vendit të quajtur “Mulliri i Artë”, të mërkurën u arrestua Ylli Nazëraj nga Ballshi. Sipas bluve, 45-vjeçari është bashkëpunëtor në krim, pasi ka ndihmuar atentatorët të largohen me makinë. Ndërsa më parë është prangosur 36- vjeçari Ilir Memushaj nga Vlora si dhe ish-agjenti i SHISH, Florian Bushi.

HETIMET
Dy ditë më parë, policia e Fierit bëri me dije se ka zbardhur dhe ka dokumentuar ngjarjen ku mbeti i vrarë 44-vjeçari nga Patosi dhe u plagosën dy shokët e tij. Sipas njoftimit për shtyp, është prangosur njëri nga bashkëpunëtorët (Ylli Nazëraj), ndërsa vetë autori i krimit (Ermal Binjaku) është shpallur në kërkim. Mësohet se përfshirja në krim e këtyre dy të fundit është zbuluar pas hetimeve intensive të kryera nga blutë dhe prokuroria e Fierit. Sipas burimeve të mësipërme, Binjaku ka qëlluar mbi tre personat që po udhëtonin me një automjet mbrëmjen e 8 janarit. Dhe shënjestra e atentatit nuk ka qenë viktima Denis Kasa nga Patosi. Burime pranë grupit hetimor pohuan se ngjarja ka si motiv trafikun e drogës në Itali dhe Belgjikë dhe konkretisht përplasjet e mëparshme mes Ermal Binjakut dhe të riut Kastrati nga qyteti i Fierit. Po të njëjtat burime u shprehën se atentati dyshohet të jetë realizuar falë bashkëpunimit mes Binjakut, Memushajt dhe ish-agjentit të SHISH, Florian Bushi.

ATENTATI
Ngjarja për të cilën akuzohen Ermal Binjaku, Ilir Memushaj dhe Ylli Nazëraj ka ndodhur mbrëmjen e 8 janarit të këtij viti. Denis Kasa, i cili ishte kthyer nga Italia për festat e fundvitit ishte duke udhëtuar me dy shokët e tij me një automjet tip “Benz” për në drejtim të Lushnjës, kur në vendin e quajtur “Kthesa e Mullirit të Artë” janë qëlluar me breshëri automatiku. Sipas bluve, drejtuesi i mjetit (Kasa) ka dalë me shpejtësi nga makina dhe ka tentuar që të largohet, por ka mbetur i vrarë, ndërsa janë plagosur rëndë Kastrati dhe Margariti. Makina me të cilën ata udhëtonin është përfshirë nga flakët, kurse autorët e krimit janë larguar me një automjet tip “Toyota” me targa të huaja, e cila u gjet e djegur në rrugën e vjetër Fier-Kolonjë (rreth 2 km larg vendit ku ndodhi atentati).

Pak orë pas ngjarjes së rëndë, policia arrestoi Ilir Memushajn. Ai u kap në aksin rrugor Skelë-Vlorë. Sipas policisë, Memushaj ka qenë duke udhëtuar i vetëm me automjetin tip “Audi A4” me ngjyrë të zezë dhe se mjeti ishte marrë me qira në Tiranë. Hetuesit e çështjes pohuan në atë kohë se me këtë automjet janë larguar autorët e atentatit, pas djegies së makinës tip “Toyota” me targa të huaja.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: