TIRANA

Gjykata e Tiranës caktoi masën e arrestit me burg ndaj 4 të dyshuarve për atentatin e dështuar ndaj biznesmenit Andon Dhima. Prokuroria tha në sallën e gjyqit se Grid Lena dhe Albin Hoxha, ish-komando, ishin dy personat e armatosur dhe me fytyrë të mbuluar më maska silikoni, të cilët tentuan të ekzekutonin biznesmenin, pavarësisht se në momentin e fundit, ata u tërhoqën, pasi Dhima hyri në ashensor dhe nuk arritën të qëllonin në drejtim të tij.

Enea Hoxha vëllai i ish-komandos dhe Mariglen Matohiti, kunati i Lenës dyshohet sipas prokurorisë të kenë patur rolin e vëzhguesit. Prokuroria thotë se në gjurmët e të dyshuarve ra përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, që e orientuan deri në shtëpinë e Grid Lenës. Pas vënies në përgjim të të dyshuarit u zbuluan mesazhe kompromentuese, pasi ata komunikonin me njëri-tjetrin dhe shprehnin shqetësim se kishin dalë duarbosh, pra pa mundur të përmbushnin misionin.

  • foto galeri
  • foto galeri

Mesazhet u përdorën si provë në seancë. Të dyshuarit mohuan përfshirjen në ngjarje, por s’e bindën dot gjykatën t’i linte të lirë.

Bashkëshortja e Grid Lenës dhe njëherazi motra e Mariglen Matohitit, tha për median se ata s’kanë asnjë lidhje me atentatin e dështuar ndaj biznesmenit, përderisa janë gjendur në një ditëlindje në të njëjtën kohë kur ndodhi krimi.

Sa i përket motivit, prokuroria ende nuk ka një pistë përfundimtare, por po heton në disa të  tilla. Duke qenë se mes të dyshuarve dhe shënjestrës nuk ka asnjë njohje të mëparshme, atentatorët dyshohet se janë paguar nga persona të tjerë.

(BalkasnWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb