Policia e Vlorës ka zbardhur sot ngjarjen e Novoselës të ndodhur më datë 12 Maj 2019, ku njëri prej personazheve është 33-vjeçari Romarjo Alliaj, i cili pak ditë më parë u rrëfye ekskluzivisht për News 24 dhe BalkanWeb.

Ai tregoi se i kishte shpëtuar fatmirësisht një atentati me breshërisë kallashnikovi, por policia e Vlorës thotë se ngjarja është tërësisht e sajuar.

Alliaj bashkë me mikun e tij Arben Veliko, 51 vjeç, e kanë sajuar ngjarjen për arsye personale dhe për këtë arsye.

NJOFTIMI I POLICISË
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 12.05.2019, ku persona të paidentifikuar kanë tentuar të vrasin 24 vjeçarin R. A, i cili në momentin e sulmit ishte duke drejtuar automjetin e tij Volksëagen Golf në autostradën Vlorë-Levan, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë ka zbardhur ngjarjen, ku ka rezultuar se ngjarja është sajuar nga autori dhe shoku i tij , për interesa personale.


Në këtë kuadër u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:
R. A., 24 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kallëzimi i rremë”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.
A. V., 51 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kallëzimi i rremë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.
Nga hetimet e kryera dhe provat e administruara ka rezultuar se shtetasi A.V në bashkëpunim me vetë shtetasin R.A, kanë përgatitur, simuluar dhe realizuar vetë ngjarjen në fjalë për interesa personale duke përdorur gjithashtu edhe një armë zjarri automatike.
Gjithashtu, për shtetasin R.A, më datë 01.06.2019, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, por ditën e djeshme (03.06.2019) është konstatuar nëpër qytet duke mos zbatuar detyrimet ligjore në lidhje me masën e sigurisë.

RRËFIMI I TË ARRESTUARIT PAK KOHË MË PARË
Alliaj u shpreh se atentati (i sajuar) erdhi pas një bisede telefonike të bërë një ditë me parë me disa persona për një borxh. Ai tha se kishte hyrë ndërmjetës tek një miku i tij për borxhin që nuk ishte kthyer dhe një ditë para atentatit i kishte marrë në telefon dhe iu kishte bërë presion për të kthyer paratë. Por jo që situata të agravonte në të tillë ngjarje. 33-vjeçari tregoi se makina që e ndoqi dhe qëlloi në autostradë ishte një “BMË” gri e errët.
“Isha nisur për në Elbasan. Fillimisht më qëlluan nga ana e shoferit, 2 plumba kapën makinën. Më pas unë kalova nga ana e pasagjerit dhe makina nisi të ngadalësonte. Makina e autorëve kaloi paralel me mua dhe më qëlluan në breshëri. Pastaj sa e shkrepi të gjithë në makinë erdhën plumbat, mbi 20 plumba nga dera e shoferit. Shpëtova se ndaloi një kamion dhe autorët ikën”, tregon 33-vjeçari, i cili akuzon policinë se nuk i ka marrë në pyetje dëshmitarët që nga kamionisti.
I riu thotë se ishin tre persona në makinën nga u qëllua, dy përpara dhe një pas, të tre me maska. “Vetëm ai pas ka qëlluar. Makina ishte me targa franceze pas, para nuk i kishte targat”, tregon ai.
Fjala e fundit e Marios është se nuk ka besim tek policia dhe tek askush. Ai thotë se do t’i zgjidh vetë problemet e tij.
“S’kam besim as tek policia dhe as tek njeri fare. Ky ishte muhabet shoqëror, ishte në rrjet shoqëror. Unë me ta kam ngrënë e kam pirë. Unë i zgjidh vetë problemet e mia. Policia është deri ku i takon. Nuk kam besim fare as tek kjo që kam veshur. Edhe atë e kisha shok të ngushtë, kisha shumë besim por erdhi për të më vrarë. S’kam besim fare as tek policia, as tek askush. Janë çështje që i zgjidh vetë. Nuk më hyn fare në punë policia”, thotë Mario.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb