ELBASAN

Zbardhen detaje të reja nga atentati i mbrëmjes së kaluar në hyrje të Elbasanit, ku u ekzekutuan me breshëri plumbash Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku, të dy me precedentë kriminalë.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se Lulzim Bitri është vëllai i E. Bitrit, i cili dyshohet se ka pasur rolin e vëzhguesit në masakrën e Bradasheshit, e ndodhur më 2018, ku u vranë Endrit Alibej, xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri, dhe shtetasi turk.

Ndërkohë, siç raporton për “BalkanWeb” gazetarja Lala, viktima e dytë, që ndërroi jetë më vonë te Spitali i Traumës, në Tiranë, Ardian Çollaku, është hetuar më herët nga Prokuroria e Elbasanit si personi që dyshohet se ka pasur rolin e vëzhguesit në vrasjen e Everest alias Ibrahim Çakaj.

Ndërkohë, atentati ndaj Bitrit dhe Çollakut është filmuar nga kamerat e karburantit aty pranë. Në video shfaqen dy persona të maskuar, që qëllojnë me breshëri armësh. Nga ana tjetër, gazetarja Lala mëson se vëllai i Lulzim Bitrit ndodhet në Dubai dhe dyshohet se atentati është kundërpërgjigje e grupit kundërshtar ndaj grupit, që ndodhet në Dubai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb