Policia e Bulqizës vijon kërkimet për kapjen e shtetasit Feruzan Shehu, i cili qëlloi me armë ndaj biznesmenit Gëzim Balla, mbrëmjen e të premtes.

Uniformat blu kanë kërkuar edhe në banesën e kunatit të autorit, Lulzim Cakalli. Ky i fundit rrëfen në një intervistë për gazetarin e “News24”, Enver Doçi, se policia i është futur me forcë në banesë, duke terrorizuar gruan dhe fëmijët e vegjël.

“Policia ka dyshuar se kunati im është fshehur këtu. Kanë ardhur me forcë e janë futur këtu, kanë shtyrë derën, gruan e fëmijët dhe janë futur pa uniformë policie. Ata kanë ardhur në darkë, në 21:30, maksimumi 22:00. Ata nuk janë prezantuar fare, kanë ardhur me armë, krejt civilë, dhe kanë terrorizuar fëmijët, gruan.

Kanë bërë shumë terror te fëmijët, mbrëmë nuk kanë fjetur fare nga terrori që kanë ardhur. Është shumë e ulët dhe e frikshme të vijë punonjësi i shtetit me armë në dorë para fëmijëve të vegjël. Kunati im dyshohet se ka qëlluar Gëzim Ballën, deri diku nuk është e vërtetë, por le ta vendosë drejtësia, edhe pse nuk ka drejtësi këtu në Shqipëri”, tregon kunati i Shehut.

Ndërkohë, ngjarjen e tregon dhe vajza 10-vjeçare e Lulzim Cakallit, e cila mes të tjerash thekson se është frikësuar shumë dhe atë natë nuk ka fjetur fare gjumë

“Erdhi policia, hapi derën me forcë, shtynë mamin, prishën këndin dhe kontrolluan gjithë shtëpinë. Filluan të kontrollojnë me armë në dorë. Jam trembur shumë dhe nuk kam fjetur gjumë gjithë natën. Ishin të gjithë civilë, e kishin rrethuar gjithë pallatin. Kur hynë brenda shtynë mamin dhe thanë ku është Furizan Shehu”, shprehet e mitura.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb