Një lutje dëshpëruese vjen nga një baba shkodran, i cili i bën thirrje djalit të tij që të dorëzohet në polici. Bëhet fjalë për Arben Hasanajn, babain e autorit 19-vjeçar të atentatit ndaj kreut të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe. Hasanaj në një prononcim për mediat i kërkoi djalit të tij, Ilirjan Hasanaj që të dorëzohej një orë e më parë në polici, pasi do ta mbështeste gjithmonë, ndërsa nuk i mbajti as lotët.

Tre ditë më parë 19-vjeçari Ilirian Hasanaj i bëri atentat me armë Mentor dhe Xhelal Hasanajt që rezultojnë kreu i Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe dhe babai i tij dhe që u plagosën nga plumbat e armës së 19-vjeçarit.

Në automjetin e Hasanajt udhëtonte edhe bashkëshortja e tij, 28-vjeçarja Vjollca Hasanaj që nuk u plagos.

“Faleminderit që më gjendeni pranë në këtë rrezik që më ka ndodhur si familje. Kam rastin që të uroj familjen e dëmtuar, familjen e Xhelal Hasanajt. I lutem me shpirt e zemër që ai ta kalojë rrezikun e të bëhen sa më mirë. Sa i përket emrit të djalit që është i përfolur në media dhe është në kërkim nga policia, i bëj thirrje publikisht që një orë e më parë, në komisariat, në drejtorinë, në pikën më të afër të Policisë së Shtetit, tek polici i rrugës, të dorëzohet. Unë si prind do ta përkrah, do ta mbështesë dhe do ta mbajë afër, pavarësisht fatkeqësisë së më ka ndodhur. I lutem me mish e shpirt, gjithkujt që e njeh dhe e ndihmon, miq e armiq, nëse dikton djalin tim, të më njoftojë privat. Më bën nder. Nuk kam dijeni fare për çunin. Dy ditë para se të ndodhte ngjarja kam folur me djalin. E kam pasur pranë, më ka dëgjuar, i respektuar. Se imagjinoja kurrë se ma bënte djali këtë punë. Kisha vra veten se ma bën çuni këtë. Nuk kam asnjë dijeni përveç asaj që keni dhënë ju në media. Unë quhem Arben Dan Hasanaj, dhe me banim në Shkodër. Familja e dëmtuar është me mbiemrin Hasanaj. Jetojnë dy fshatra më larg se ne. Ne kemi miqësi me ta, dhe s’kemi pasur kurrë konflikte. S’kemi asnjë lloj lidhje me ta, me prona apo gjëra të tjera. Kam respekt, se di se çfarë ka ndodhur. Nisem pas fjalës së policisë dhe medias. Unë dua që të gjej djalin, se nuk e di. Unë mbështes Policinë e Shtetit. Kam qenë polic kufiri, por jam tërhequr. Kam dalë me dëshirë në pension. Mua Policia do të ketë në krah, e mbështes totalisht. Dua të gjej djalin tim, dua drejtësi. Do ta përkrah djalin pasi është shpirti im. Ai duhet të japë llogari se çfarë ka ndodhur. Nuk kemi lidhje fare me atë familje, s’na bashkon asnjë sen tjetër. Veç se kemi mbiemrin Hasanaj dhe se jemi shqiptar. Djali sapo mbaroi shkollën. Bëmë letrat për Akademinë e Policisë. Bëri patentën. Bëri teorinë dhe më pas praktikën. Dhe presim. Tani u dogj gjithçka. Më mori në qafë, më tradhtoi (Qan). Dyshimet e policisë mund të jenë të sakta ose jo. Nuk mund të jap asnjë sen, pasi nuk di asgjë. Nëse ai ka bërë diçka do mbajë përgjegjësi. Unë dua që djali të gjendet. Jam prindi i tij, do të japë llogari për çfarë do lloj problemesh. S’kemi hasmëri me ta. Nëse do më ndihmoni në këtë rast, unë do jem polic në kapjen e djalit tim. Faleminderit, ju ruajtë Zoti!”, tha babai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: