Është arrestuar në Turqi autori i dyshuar për vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moise. Kjo është konfirmuar nga ministri i Jashtëm në Hait, Claude Joseph.

I dyshuari, Samir Handal, një biznesmen, u arrestua në aeroportin e Stambollit, ku mbërriti tranzit nga SHBA-ja në Jordani, shkruajnë mediat e huaja.

Moise, një ish-biznesmen 53-vjeçar që mori detyrën në vitin 2017, u qëllua për vdekje në banesën e tij private dhe gruaja e tij u plagos në sulm.

Një grup mercenarësh kolumbianë dolën si të dyshuarit kryesorë edhe pse askush nuk është akuzuar apo dënuar në lidhje me rastin.

“Sapo pata një bisedë telefonike me ministrin turk, mikun tim Mevlüt Çavuşoğlu, për të falënderuar Turqinë për arrestimin e Samir Handal, një prej personave me interes të madh në hetimin e vrasjes së presidentit”, shkroi Joseph.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme, duke përfshirë nëse Haiti do të kërkonte ekstradimin e tij.
Më shumë se 40 të dyshuar janë arrestuar deri më tani në lidhje me vrasjen e Moïse, duke përfshirë 18 ish-ushtarë kolumbianë dhe disa oficerë policie haitiane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: