Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE –Fation Skënderi, personi që implikohet nga Tom Doshi në një komplot për vrasjen e tij dhe të Mhill Fufit, ka qenë viktimë e një atentati të dështuar. Burime të policisë thanë dje për “Gazeta Shqiptare”, se në datën 1 shtator të vitit të kaluar, në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës është tentuar të ekzekutohej me armë zjarri Fation Skënderi, ose siç quhet ndryshe “Toni”. “Viktima” e atentatit ka mundur t’u shpëtojë plumbave në makinën e tij “BMW X6”.

Atentati
Burime të sigurta për “GSH”, pohojnë se rreth orës 19:30 të datës 1 shtator, kanë marrë informacionin se në autostradën Tiranë-Durrës një personi i ishte bërë atentat me armë zjarri. Të njëjtat burime shtojnë se pasi uniformat blu kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë konfirmuar se atentati është bërë pikërisht në zonën e mbikalimit të Kamzës, në hyrje të autostradës që lidh kryeqytetin me qytetin bregdetar të Durrësit. Nga të njëjtat burime sqarohet se Skënderi udhëtonte me një makinë “X6”, ngjyrë vishnje, në momentin që mendohet se është qëlluar më shumë se 10 herë me kallashnikov nga persona të paidentifikuar, të cilët udhëtonin me një automjet tip “Benz”, të cilët pas atentatit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Mësohet se pasi uniformat blu kanë shkuar te zona ku kishte ndodhur atentati, kanë gjetur vetëm automjetin e Fation Skënderit, i cili ishte dëmtuar në pjesën e kofanos, te xhami i përparmë, si dhe në derën e shoferit. Por, të njëjtat burime pohojnë se në makinë nuk ndodhej objektivi i atentatit, i cili, duke qenë se nuk ishte plagosur nga atentati, ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Me gjasë, policia nuk e sekuestroi mjetin për të parë kush “do t’i dilte për zot”. “Dy ditë më vonë pasi kishte ndodhur ngjarja, ne morëm informacion se në një nga serviset e kryeqytetit kishte shkuar një person me një makinë që ishte e dëmtuar nga plumbat dhe donte që ta riparonte atë. Shkuam te servisi dhe aty gjetëm automjetin, si edhe pronarin e saj, Fation Skënderin, i cili u mor në pyetje”, sqarojnë burimet policore për “Gazetën Shqiptare”. Këto të fundit shtojnë se gjatë dëshmisë së tij, Skënderi nuk ka dhënë shumë detaje që mund ta çonte policinë tek atentatorët, por uniformat blu kanë pasur dyshime se ai e dinte se kush ka dashur që ta vrasë. Mësohet që gjatë dëshmisë së tij, Toni i Kombinatit, në momentin që është pyetur se për kë dyshonte se mund ta kishte ekzekutuar, është shprehur: “Do mendohem dhe do ju them”, duke shfaqur dyshime se kishte dijeni për atentatorët që kanë dashur ta ekzekutojnë. Në fakt, ky atentat është përmendur edhe gjatë deklaratës për shtyp që ka bërë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky u fundit sqaroi në deklaratën e tij të bërë në 4 mars, se takimin e parë me deputetin Doshi e ka bërë në 6 shtator të vitit të kaluar, gjatë të cilit deputeti shkodran i ka thënë se
personi që kishte marrë përsipër ekzekutimin e tij ishte një shtetas nga Fushë-Kruja, i cili kishte marrë porosi nga një person tjetër me emrin Fation Skënderi. “Tom Doshi deklaroi po në atë takim, se në dt. 1 shtator 2014 (pra 5 ditë përpara takimit me mua), këtij shtetasi (pra Fation Skënderit) i ishte bërë atentat për ta vrarë, në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës, ngjarje pa pasoja, por për të cilën Policia e Shtetit kishte filluar hetimet që në momentin kur u bë me dije”, thuhet në deklaratën e ministrit të Brendshëm.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: