Prokuroria e Tiranës nis hetim për nxjerrje të sekretit hetimor të SPAK, në lidhje me vrasjet e zbardhura një ditë më parë të biznesmenit Vajdin Lamajt e Klodian Saliut, ngjarje për të cilat janë vënë nën akuzë disa bosë të krimit, mes tyre Emiljano Shullazi e Lulzim Berisha.

Prokuroria ka sqaruar se në lidhje me këtë ngjarje ka ndaluar publikimin e vendimit dhe akteve hetimore, ndërsa kërkon mirëkuptimin e medias në zbatimin rigoroz të ligjit.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, duke marrë shkak nga publikimi i të dhënave sekret hetimor, për rastin në hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka filluar kryesisht hetimet sipas nenit 313/b te Kodit Penal.

Sipas vendimit të Gjykatës me Nr 115 date 02.12.2020, me të cilin janë caktuar masat e sigurimit personal “Arrest në burg” për disa shtetas, sipas nenit 238 te Kodit të Procedurës Penale, është vendosur ndalimi i publikimit të këtij vendimi, bazuar në nenin 103 pg, 2 dhe pg 3 të Kodit të Procedurës Penale. Në këto rrethana publikimi në kundërshtim me vendimin parashikohet si vepër penale, sipas nenit 313/b te Kodit Penal.

Duke mirëkuptuar interesimin e madh si dhe duke respektuar të drejtën e informimit, kërkojmë mirëkuptimin e medias në zbatimin rigoroz te ligjit”,- thuhet në njoftim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb