Policia e Shtetit dhe efektivë të RENEA-s janë duke zhvilluar një operacion në Fier pas atentatit në Elbasan, pas të cilit dyshohet se ka mbetur i plagosur i shumëkërkuari Talo Çela.

Një automjet tip “BMW” u gjet i bërë shosh nga plumbat mbrëmjen e sotme në Elbasan, teksa brenda tij nuk kishte asnjë person.

Ndërkohë pak orë më pas në Fier policia ka ndërmarrë një operacion. Burime nga Policia bënë me dije për “BalkanWeb” se janë duke u zhvilluar kontrolle për armë, drogë dhe persona në kërkim që kanë lidhje me ngjarjen e Elbasanit.

Nga pamjet e siguruara nga gazetari Ervis Kuçi për “BalkanWeb” shihet të paktë një person që shoqërohet gjatë operacionit, ku po kryhen kontrolle në një pallat edhe me dron.

Gazetarja Doriana Bezat, raportoi se targat e mjetit tip “BMW”, që u bë shoshë nga plumbat, rezultojnë të vjedhura në Durrës.

Gjithashtu, numrat e shasisë së mjetit janë të fshira dhe nuk mund të zbulohet origjina e tij, por paraprakisht dyshohet se është vjedhur. Nga kontrolli fizik, nuk u gjetën gjurmë gjaku prandaj dyshohet se nuk ka pasur të lënduar.

Në bagazhin e makinës, është gjetur një shishe plastike 1.5 litra me benzinë dhe një karikator me plumba. Dyshimet e uniformave blu janë se makina mund të përdorej për një ngjarje kriminale, por u zbulua pak para se të ndërmerrte një akt të tillë.

Bëhet e ditur gjithashtu, se makina nuk është qëlluar tek vendi ku u gjet nga policia në aksin Elbasan-Cërrik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb