DURRES- Policia e Durrësit bën me dije se po heton intensivisht dhe se deri më tani ka shoqëruar 12 persona në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot rreth orës 13:55, në afërsi të vendit të quajtur “Mbikalimi i Sukthit” ku u vranë me armë zjarri, shtetasit Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj.

“Bëjmë me dije se grupi hetimor vijon hetimet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nga ana e uniformave blu janë shoqëruar 12 persona, me qëllim zbardhjen dhe zbulimin e plotë të ngjarjes”,- sqaron policia.

Ish-shefi i Krimit Ekomomik të Tiranës u ekzekutua sot bashkë me mikun e tij, teksa udhëtonin në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës në mbikalimin e Sukthit me dy karikatorë kallashnikovi. Autorët i kanë ndjekur nga ps me një makinë të zezë, e në shpejtësi e sipër e kanë bërë shoshë me plumba mjetin e tyre. Nuk dihet nëse dy miqtë i janë kundërpërgjigjur të shtënave me armë, por policia po heton ende për ngjarjen.

Kujtojmë se Dalipaj ishte në arrati për një akuzë të rëndë, atë të rrëmbimit, torturimit dhe vrasjes së Gazmend Çollakut në 6 janar të 2016-ës në Durrës.

Bashkë me Denis Shtrazën ata akuzoheshin për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit” e paraprirë ose e shoqëruar me tortura fizike dhe kur është shkaktuar vdekja e tij”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Mbajtje pa të drejtë e uniformës”.

Fillimisht dy të dyshuarit janë shoqëruar menjëherë pas ngjarjes nga Policia Gjyqësore, por më pas janë lënë të lirë. Deri në përfundim të hetimit, nën arrest ka qenë vetëm i pandehuri Denis Shtraza. Ndërsa i pandehuri tjetër, Ervin Dalipaj nuk ka qenë në kërkim.

Dalipaj ka mbajtur postin e Shefit Kundër Krimit Ekonomik në Tiranë deri në tetor të vitit 2013, kur u pezullua nga detyra me urdhër të ish-ministrit Tahiri, pasi nuk kreu detyrën gjatë operacionit “Fundi i Marrëzisë” për bllokimin e lojërave të fatit.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb