Është zbardhur dëshmia e drejtorit të policisë bashkiake Malësi e Madhe, Mentor Hasanaj i cili u plagos bashkë me babain e tij Xhelal Hasanaj një ditë më parë pranë bustit të 5 heronjve të Vigut në rrugën Shkodër-Koplik. Drejtori Hasanaj i cili ndodhet në spital në Tiranë, tashmë në një gjendje më të stabilizuar, pasi është marrë në pyetje nga policia ka deklaruar se ai nuk ka asnjë konflikt me askënd dhe nuk e di arsyen e kësaj ngjarje të rëndë.

“Kam qenë me familjen time në makinë. Papritur na qëlluan dhe u munduam të shpëtojmë. Pasi të shtënat u ndalën pashë që ishim plagosur unë dhe babai. Nuk e di se cila është arsyeja që na kanë qëlluar. Unë nuk kam asnjë konflikt me askënd dhe as babai im apo familja ime. Unë jam drejtor i policisë bashkiake në Malësinë e Madhe por nuk ka asnjë lidhje kjo sepse nuk kam pasur ndonjë debat apo problem të këtyre kohëve apo edhe më përpara. Kam punuar me shumë korrektësi në punën time duke iu shërbyer të gjithëve. Nuk kam asnjë ide përse na qëlluan”, mësohet të ketë thënë drejtori Hasanaj pas ngjarjes së rëndë.

Nga ana tjetër policia ka shoqëruar disa persona në komisariat por deri më tani nuk ka ndonjë autor të dyshuar dhe kanë qenë persona dëshmitar që kanë parë ngjarjen dhe janë lënë sërish të lirë.

Policia vijon hetimet për identifikimin e autorit gjetjen dhe kapjen e tij. Autori ka qëlluar me një motor ndërsa ka pasur skafandër në kokë dhe i veshur me rroba të zeza. Motorin autori e ka braktisur në një rrugë dytësore rreth 500 metër larg nga vendi i ngjarjes dhe është larguar në drejtim të paditur. Policia dyshon se atentatori mund të jetë me pagesë për nga mënyra se si është kryer kjo plagosje e dyfishtë. Objektiv mendohet se ka qenë drejtori Mentor Hasanaj, i cili arriti t’i shpëtojë atentatit pavarësisht se u qëllua me 7-8 plumba pistolete.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb