Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje të reja në lidhje me vrasjen e dyfishtë të ndodhur në Sukth disa ditë më parë ku viktimat ishin ish-shefi i Krimit Ekonomik në Tiranë, Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, Hoxha thotë se në ngjarje dyshohet se janë të përfshirë zyrtarë të lartë të policisë.

Ai gjithashtu tha se nën hetim është edhe një oficer i lartë, që merret me sektorin e ngjarjeve të rënda, i cili prej disa ditësh nuk është paraqitur në detyrë, shkruan BalkanWeb.

Megjithatë gazetari Hoxha nuk përmendi emra, pasi sipas tij do të dëmtoheshin hetimet.

“Kjo është një ngjarje e rëndë, dhe kam thënë që kemi të bëjmë me një zyrtar tjetër të policisë. Makina që përdorën viktimat ishte shumë e shpejtë dhe vështirë ta neutralizoje me një mjet të thjeshtë. Kamerat e sigurisë nuk janë kontrolluar ende të gjitha, se duhen ndjekur lëvizjet minutë pas minute. Nuk ka pasur shumë bashkëpunim mes bizneseve të zonës, pasi kanë pasur frikë. Ka një seri ngjarjesh që mbeten pa autor dhe prandaj dëshmitarët kanë frikë, nuk kanë më besim. Rezultojnë të implikuar në këtë histori edhe zyrtarë të lartë të policisë. Një nga oficerët e policisë, është drejtues që merret në sektorin e ngjarjeve të rënda, nuk është paraqitur në detyrë, ka disa ditë. Është në listën e personave që duhet të paraqiten. Kam emra, por nuk i jap se dëmtoj hetimet.Ata ishin të dy me të shkuar jo të mirë,”  tregoi Hoxha.

Gjithashtu Artan Hoxha tha se nuk dihet ende me siguri lidhja e dy vajzave që viktimat kishin takuar përpara pasi Prokuroria ende s’ka bërë publike deklaratat e tyre.

“Po drejtonin një makinë që kushton 120 mijë euro, me vete kishin 7000 euro. Kemi të bëjmë me njerëz që kanë burime financiare, Dauti rezulton se ka lëvizur me eskortë, dhe e dinte që ishte objektiv ekzekutimi.

Pse pikërisht atë ditë ata ishin bashkë pa eskortë. Alibia që kanë përdorur autorët është e fortë. Nuk e dimë se çfarë lidhje kanë vajzat që ata kanë takuar. Pavarësisht se ç’është thënë në media, prokuroria nuk ka bërë publike se çfarë kanë thënë vajzat,” tha Hoxha.

Viktimat e radhës dhe fshehja e autorëve
Rasti konkret tregon se nëse korrupsioni arrin në nivele të tilla i lidhur me drogën do shkaktojë viktima, listë të cilën nuk e dimë se deri ku do shkojë. Janë ngjarje tipike mafioze, si ngjarjet në Palermo e Korleone. Nuk kemi asnjë lloj përgjigje se pse u goditën, dhe në fund të fundit kush janë autorët. Në Tiranë e Durrës ka rrezik të fshihen autorët se janë zona të populluara. Policia e Shtetit ka probleme me informacionet, ka humbur rrjetin e informatorëve. Operacioni i kryer në zonën e Shijakut  u bë më shumë për të treguar se kush është në krye të qytetit, por në fakt në Shijak ka grupe që banojnë aty, por aktivitetet kriminale i bëjnë jashtë shtetit.

Ndryshimet në polici
Edhe Durrësi është pjesë e asaj që ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë. Ndryshimi ishte vendosur para se të ndodhte ngjarja. Nuk besoj se largimi i Durrësit ka lidhje me këtë ngjarje. Tahiri i mbante për një kohë të gjatë drejtuesit e policisë në mënyrë që ata të merreshin për një kohë të gjatë për një hetim. Por Xhafaj tregoi që nuk donte të vepronte me këtë grup drejtuesish.

 (e.f/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb