TIRANË

Ergys Kolaveri i dyshuar për atentatin me snajper ndaj të dënuarit Gazmir Daci në brugun e Vaqarrit u lirua nga qelia me vendim të gjykatës së Apelit. Një treshe gjykuese vendosi t’i zbusë masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. Sipas vendimit të gjykatës, Kolaveri do të qëndrojë në mbikqyrje elektronike. Ndërsa punonjës policie do të mbajnë nën vëzhgim banesën.

Ergys Kolaveri u dënua me 20 vite burg në 16 nëntor të 2017 nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Gazmir Dacit, me të cilin kishte hasmëri . Por menjëherë në nëntor të 2017 ai e apeloi dënimin prej 20 vitesh burg.

Seanca për ndryshimin e masës është mbajtur sot dhe ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që një të dënuar i ndryshohet masa ose ‘lirohet nga qelia’ pas ish- numrit 2 të bandës së Durrësit, Endrit Dokles. Vendimi për ndryshimin e masës së Ergys Kolaverit u mor nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Shkëlqim Mustafa.

Por kush është Ergys Kolaveri?

Hasmëria e familjeve Kolaveri- Daci zë fill në vitin 2015 kur Gazmir Daci vrau vëllain e tij Valmir Kolaverin më 4 tetor 2015 dhe la të paralizuar vëllain tjetër Robert Kolaverin. Vëllezërit Kolaveri kishin rrahur në bodrumin e një banese në Francë Elson Dacin, vëllain e Gazmirit pasi ky i fundit po u prishte pazaret e transportimit të klandestinëve dhe po u merrte klientët. Me kthimin në Shqipëri Gazmir Daci u kishte kërkuar llogari në një lokal por sherri përfundoi me vrasje dhe plagosje.

Gazmir Daci u dënua me 35 vite burg për vrasje dhe plagosje, por vëllai i tretë Ergys Kolaveri nuk e la me kaq. Pikërisht me anë të një snajperi Ergys Kolaveri tentoi të vrasë Gazmir Dacin pasditen e 30 korrikut të 2016 por doli ‘huq’ pasi plagosi kosovarin Lili Dulajn.

Kolaverit iu gjet në automjet vetëm disa dylbi por jo arma me të cilin tentoi të vrasë Gazmir Dacin. Në 2017 ai u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 20 vite burg për tentativë vrasje kurse Prokuroria kishte kërkuar 30 vite.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb